Bislimi: E çuditshme, letrat që na dërgoi Borrell kishin formulime të ndryshme

Bislimi: E çuditshme, letrat që na dërgoi Borrell kishin formulime të ndryshme

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur sonte për situatën e krijuar lidhur me zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftimet dhe targat, që shkaktoi tensione nga serbët në veri të Kosovës, të dielën e kaluar.

Ai në një intervistë në RTK ka thënë se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell ka ndryshuar letrat të cilat i ka dërguar Kosovës më 31 korrik.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se përkundër informimit të mirë të qytetarëve serbë në veri të vendit, Kosovës iu kërkua që të shtyjë implementimin e masës për letërnjoftime dhe targa.

Sipas tij, kërkesa e Borrell-it për shtyrje të masave nuk ka qenë shumë qëllimmirë, derisa shpjegoi se Brukseli zyrtar ka pasur krejtësisht  brengë artificiale.

“Fatkeqësisht më 31 korrik neve na ka ardhur një kërkesë nga Brukseli, nga z. Borrell që masa të shtyhet,  që personalisht mendoj se nuk ka qenë fort kërkesë qëllimmirë dhe nuk ka qenë mjaftueshëm e argumentueshme. Ka qenë brenga që mund të ketë tensione dhe se ka shumë dezinformim në veri, dhe ka nevojë për më shumë fushatë, edhe pse edhe aty shprehet frika se shtyrja jo domosdoshmërisht do të shmang efektin e dezinformimit. Kjo nënkupton se Brukseli e ka të qartë se tensioni nuk është i krijuar nga qytetarët por nga qendra e Serbisë”, ka thënë Bislimi.

Porse, sipas tij, vizita e ambasadorit amerikan mbrëmjen e së dielës kishte një kuptim të mirë.


“Qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk mund të thonin se nuk kanë dokumente shtesë, brenga ka qenë kryesisht artificiale, mirëpo si duket z. Borrell nuk ka qenë i kënaqur nga kjo përgjigje, dhe pastaj kemi pasur vizitën nga ambasadori Hovenier, që unë mendoj se ka qenë vizitë shumë qëllimmirë dhe ka dashur që ta zbehë ketë angazhimin jo parimor të Bashkimit Evropian. Aty është thanë që ‘në asnjë rast bashkësia ndërkombëtarë nuk kërkon rishikimin e masave’”, shpjegon Bislimi.

Duke shpjeguar këtë pjesë, Bislimi tha se kur flitet për palën serbe, duhet bërë dallimin që të gjitha trazirat të cilat Vuçiq i inskenon, nëpër vendet e rajonit, i maskon nën idenë e revoltave të qytetarëve lokal.

“Z. Borrell ka dërguar një shkresë më 31 korrik në mëngjes, por ne kemi thënë që kjo shkresë që dërgohet përmes mjeteve të komunikimit jozyrtare, duhet të zyrtarizohet, por pastaj kemi vërejtur diçka të çuditshme. Ka pasur dallime të mëdha mes formulimeve në shkresën e parë dhe letrës zyrtare që dërguar z. Borrell. Ne kemi njohuri se pse ka ndodhur kjo, por këtë do ta përdorim në bisedimet në Bruksel, dhe mendojmë ta kthejmë në avantazh. Ka mundësi që kërkesa për përfshirje edhe të Amerikës, ambasadorit Hovenier ka ardhur nga Brukseli”, ka shtuar ai.

Bislimi ka sqaruar se kjo masë nuk u vendoset qytetarëve të Kosovës, por u vendoset qytetarëve të Serbisë që futen në Kosovë dhe se nuk ka nevojë për kurrfarë masa përgatitore nga këta qytetarë, meqë ata nuk duhet të tregojnë diçka apo të japin diçka për dorëzim, por marrin dokument.

“Serbët e veriut nuk preken nga ky vendim”, tha Bislimi gjatë intervistës.

Bislimi tha se nga ky komunikim, nuk pasur më kontakte me Brukselin, përveç takimit që ka pasur kryeministri Kurti me Tomas Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Lexo edhe

Video