Bislimi: Aplikimi në Këshillin e Evropës, i koordinuar me miqtë e Kosovës

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi të hënën në mbledhjen e qeverisë ka folur për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, të cilin e vlerësoi si hap të rëndësishëm për vendin.  

Zëvendëskryeministri Bislimi që udhëhoqi mbledhjen e Qeverisë në mungesë të kryeministrit Albin Kurti, tha se ishte koha e duhur për aplikim në Këshillin e Evropës.

Bislimi përmendi edhe përfitimet e Kosovës nga anëtarësimi në këtë organizatë, që sipas tij, do të ndikojë edhe në funksionimin e gjyqësorit.  


“Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm përpara me rastin e dorëzimit të aplikimit në Këshillin e Evropës… Pas anëtarësimit qytetarët tanë do të kenë edhe një instancë evropiane për të adresuar çështjet e tyre, e kjo do të jetë në të mirë të tyre dhe drejtpërdrejt do të ketë ndikim në funksionimin gjyqësorit në vend”, theksoi ai.

Bislimi tha se aplikimi ka qenë hapi i parë në një momentum pozitiv dhe i koordinuar me partnerë dhe miqtë të Kosovës.

“Dorëzimi i aplikacionit ka qenë hapi i parë dhe një momentum shumë pozitiv dhe të koordinuar me miqtë dhe me partnerët e Kosovës. Janë disa hapa dhe vendime të rëndësishme deri në anëtarësimin e plotë, ndërkohë qeveria jonë do të vazhdojë të punojë me përkushtim për gjatë gjithë procesit hap pas hapi, në mënyrë që të sigurojmë forcimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive elementare të qytetarëve të Kosovës dhe qasjen e tyre në institucionet tjera evropiane. Ne besojmë fuqishëm se të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës të cilët veç se e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran i gëzohen avancimit të vendit tonë në rrugëtimin drejt vlerave, standardeve dhe mekanizimeve integrues”, u shpreh Bislimi.

Zëvendëskryeministri i parë i ekzekutivit për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Bislimi ka njoftuar kabinetin qeveritar se kryeministri Kurti po zhvillon takime të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lexo edhe

Video