Biden: Rusia shkeli paturpësisht statutin e OKB-së në Ukrainë

Biden: Rusia shkeli paturpësisht statutin e OKB-së në Ukrainë

Presidenti i SHBA-së Joe Biden, deklaroi sot në fjalimin e tij në Debatin e Përgjithshëm në fillim të seancës vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, se Rusia ka shkelur paturpësisht parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara me luftën e saj brutale dhe të panevojshme në Ukrainë.

Biden dënoi ashpër pushtimin rus dhe tha se raportet për krimet ruse kundër civilëve në Ukrainë e bëjnë “gjaku të ftohet”. Ai u bëri thirrje vendeve të botës që të qëndrojnë me vendosmëri në mbështetje të rezistencës ukrainase.

Ai tha se kërcënimet e reja bërthamore të sotme nga presidenti rus Vladimir Putin për Evropën tregojnë një mospërfillje të pamatur për përgjegjësitë e vendit të tij si nënshkrues i Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore.

Biden kritikoi Rusinë për planifikimin e atyre që ai i quajti “referendume të rreme” këtë javë në territorin që ajo mori me forcë nga Ukraina.

“Një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së pushtoi fqinjin e tij, u përpoq të fshinte një shtet sovran nga harta. Rusia ka shkelur paturpësisht parimet bazë të Kartës së OKB-së”, tha Biden nga foltorja e OKB-së.

“Ne do të solidarizohemi kundër agresionit rus. Pikë!”, tha Biden.


Biden vlerësoi gjithashtu se ka ardhur koha për të reformuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i cili shpesh bllokohet nga përdorimi i të drejtës së vetos që kanë anëtarët e përhershëm të këtij organi, përfshirë Rusinë.

Ai bëri thirrje për rritjen e numrit të anëtarëve të përhershëm dhe jo të përhershëm të këtij organi të OKB-së në mënyrë që të përfaqësohen edhe vendet e Afrikës, Amerikës Latine dhe Karaibeve.

Këshilli i Sigurimit ka pesë anëtarë të përhershëm: SHBA, Rusia, Franca, Britania e Madhe dhe Kina.

Pas kërcënimit të Putin për përdorimin e armëve atomike sot, Biden, duke i quajtur këto fjalë shumë të rrezikshme, tha: “Është e pamundur të fitosh një luftë bërthamore dhe nuk duhet luftuar”.

Ai konfirmoi se SHBA do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për kontrollin dhe mospërhapjen e armëve bërthamore. Ai e mbylli fjalën e tij me thirrjen: “Të shpallim edhe një herë së bashku dhe pa mëdyshje se vendet e botës janë ende të bashkuara!”

“Ne nuk jemi dëshmitarë pasivë të historisë, ne jemi krijues të historisë dhe mund ta bëjmë atë të ndodhë”, tha Biden.

Lexo edhe

Video