Biden paralajmëron Rusinë e Kinën: Po vazhduan sulmet kibernetike…

Biden paralajmëron Rusinë e Kinën: Po vazhduan sulmet kibernetike…

Sulmet e mëdha kibernetike në SHBA mund të çojnë drejt një lufte të vërtetë, paralajmëroi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Në fjalimin e mbajtur përpara komitetit të inteligjencës, ai tha se “…nëse përfundojmë në luftë – luftë të vërtetë, me të shtëna, me një fuqi të madhe – ajo do të jetë pasojë e një shkeljeje kibernetike me pasoja të mëdha”.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi se ka një numër në rritje të sulmeve kibernetike kundër agjencive qeveritare dhe industrisë private në Shtetet e Bashkuara.


Zyrtarët amerikanë i kanë lidhur këto sulme me Rusinë dhe Kinën, e disa prej tyre kanë ndodhur pikërisht në gjashtë muajt e parë të presidencës Biden. Qindra kompani amerikane janë prekur nga një sulm kibernetik, që është kryer më 2 korrik, kundër kompanisë së teknologjisë Kaseya, me seli në Floridë.

Në muajin maj, hakerët sulmuan tubacionin kryesor të karburanteve në SHBA, Colonial Pipeline, ndërsa në qershor, shënjestër e sulmit kibernetik ka qenë kompania më e madhe në botë për përpunimin e mishit, JBS.

Shtëpia e Bardhë thotë se Biden, që e diskutoi këtë temë delikate edhe me homologun rus Vladimir Putin në Gjenevë muajin e kaluar, “do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm” për të ndaluar sulmet kibernetike nga Moska./tch

Lexo edhe

Video