Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Rusia nuk kërkon “asgjë më pak” se “ta fshijë Ukrainën nga harta”, por shprehu bindjen se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do t’ia dalë.
Ai njoftoi se SHBA-ja dhe aleatët e saj do t’i ofrojnë Ukrainës armë të tjera, duke përfshirë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.“Lufta do të përfundojë me Ukrainën si vend të lirë dhe të pavarur. Rusia nuk do të mbizotërojë”, shprehu bindjen ai.
Presidenti amerikan tha se SHBA-ja dhe partnerët synojnë t’i ofrojnë Ukrainës dhjetëra sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore në muajt e ardhshëm, si dhe qindra përgjues gjatë vitit të ardhshëm.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se njoftime të mëtejshme për ndihmat për Ukrainën do të bëhen gjatë samitit.
Fjalimi i Bidenit u ndoq nga afër jo vetëm për komentet e tij në lidhje me mbështetjen e NATO-s për Ukrainën, por edhe për performancën e tij të përgjithshme.
Në atë debat, Biden ka belbëzuar gjatë gjithë kohës dhe nuk ka arritur t’i sfidojë sulmet e Trumpit, të cilat, në shumë raste, kanë përfshirë edhe pretendime të rreme.
Megjithatë, gjatë fjalimit në samitin e NATO-s, Biden nuk u duk se bëri ndonjë gabim.
“Nuk ka opsione pa rrezik me një Rusi agresive si fqinje”, tha Stoltenberg.
“Nuk ka opsione pa rrezik në një luftë. Dhe, mbajeni në mend, kostoja më e madhe dhe rreziku më i madh do të jetë nëse Rusia fiton në Ukrainë. Ne nuk mund ta lejojmë këtë të ndodhë”, tha ai.
“Shumë nga përparimi që kemi bërë në aleancë, është falë sekretarit. Ai është një njeri me integritet”, tha Biden.
Stoltenberg, në vjeshtë, do t’ia dorëzojë detyrën shefit të zgjedhur të NATO-s, Mark Rutte.
Udhëheqësit e vendeve anëtare pritet të diskutojnë edhe për forcimin e mbrojtjes, si dhe të partneriteteve në Indo-Paqësor./REL/