Biden e Scholz diskutojnë më 7 shkurt për situatën në Ukrainë

Biden e Scholz diskutojnë më 7 shkurt për situatën në Ukrainë

Presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe kancelari i ri gjerman Olaf Scholz do të diskutojnë për situatën në Ukrainë gjatë takimit të 7 shkurtit në Uashington, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë.

Biden dhe Scholz do të diskutojnë gjithashtu bashkëpunimin në luftën kundër pandemisë Covid-19, ndryshimet klimatike dhe çështjet ekonomike dhe të sigurisë, raporton AP.

Takimi vjen në një kohë kur NATO po shpreh shqetësim në rritje për akumulimin e rreth 100.000 trupave ruse pranë Ukrainës, që mund të nënkuptojë se Moska planifikon të pushtojë fqinjin e saj, ndërsa Rusia mohon synime të tilla.


Refuzimi i Gjermanisë për t’u bashkuar me Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të NATO-s në ofrimin e armëve për Ukrainën ka zemëruar disa aleatë dhe ka ngritur pikëpyetje rreth vendosmërisë së Berlinit për t’iu kundërvënë Rusisë, sipas AP.

Shtëpia e Bardhë njoftoi vizitën e Scholz-it një ditë pasi Shtetet e Bashkuara i shkruan Rusisë për të refuzuar kërkesat e saj kryesore për zgjidhjen e krizës së gjatë mbi Ukrainën dhe Kremlini tha sot se refuzimi i Shteteve të Bashkuara linte “pak vend për optimizëm”.

Takimi me Biden do të jetë vizita e parë e Scholz në Zyrën Ovale që kur ai mori drejtimin e vendit të tij në dhjetor.

Lexo edhe

Video