Besa ndalohet në kufirin Serbi-Rumani, FHK: Do të kërkojmë sqarime nga EHF

Besa ndalohet në kufirin Serbi-Rumani, FHK: Do të kërkojmë sqarime nga EHF

Pas incidentit me ekipin kosovar të boksit, ku Serbia nuk ua kishte lejuar kalimin e kufirit, kjo e fundit ka vazhduar përsëri me skandale të këtij lloji.

Kësaj radhe bëhet fjalë për ekipin e hendbollit nga Peja Besa Famgas, ku shteti serbi ia ka mohuar kalimin nga Serbia në Rumani që ka qenë destinacion final, përcjell KosovaPress.

Besa Famgas të dielën do të zhvillojë ndeshje si mysafire kundër skuadrës rumune Potaissa Turda, ndeshje kjo e cila është e kthimit dhe e vlefshme për rrethin e katërt të EHF Cup.

Por, shteti i Serbisë nuk ka lejuar që ekipi kosovar të kalojë kufirin e Serbisë me Rumaninë, dhe lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës Izet Gjinovci.


“Sot jemi informuar se delegacioni i Besa Famgas nuk është lejuar të hyjë nga territori i Serbisë në Rumani, ku të dielën skuadra jonë e luan ndeshjen e rëndësishme të Kupës Evropiane ndaj Potaissa Turda. Kështu udhëtimi i Besës është zgjatur për dhjetëra orë të tjera dhe kjo natyrisht penalizon skuadrën tonë”, tha Gjinovci.

Gjinovci po ashtu e konfirmoi që Federata e Hendbollit të Kosovës do t’i drejtohet Federatës Evropiane të Hendbollit, ku do të kërkojë llogari për pengesat që i janë bërë Besa Famgas drejt udhëtimit për në Rumani.

“Si Federatë do t’i drejtohemi EHF-së për të kërkuar sqarime për pengesat që i janë bërë skuadrës sonë në udhëtimin për në Rumani. Po ashtu, do të kërkojmë nga autoritetet e shtetit tonë që të angazhohen për të mos pasur telashe të kësaj natyre gjatë udhëtimeve që skuadrat tona i realizojnë me autobus për në vendet jo shumë të largëta.

FHK-ja vlerëson se pengesat që i janë bërë Besës janë të paarsyeshme dhe shkojnë kundër parimeve për lëvizje të lirë të qytetarëve”, tha Gjinovci.

Ky është skandali i dytë që Serbia e bën ndaj Kosovës, ku edhe ekipin kosovar të boksit e kishte ndaluar në kufi, duke mos lejuar hyrjen në territorin serb.

Lexo edhe

Video

error: