Berisha: Rama, tellall i Beogradit e vasal i Vuçiqit

Berisha: Rama, tellall i Beogradit e vasal i Vuçiqit

Mijëra qytetarë të Shqipërisë kanë protestuar mbrëmjen e së enjtes në Tiranë pas ftesës së Partisë Demokratike për të kundërshtuar rritjen e çmimeve dhe shpopullimin, ku sipas opozitës faktor është qeveria, prandaj edhe largimi i kryeministrit Edi Rama është i domosdoshëm.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha se Shqipëria është në rrezik, sepse po rrezikohet e ardhmja e saj. Ai akuzoi Ramën për korrupsion dhe hajni. Berisha përmendi edhe Kosovën, ku akuzoi Ramën se po bëhet tellall i Beogradit dhe vasal i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Kur kryetari i qeverisë së vendit tënd bëhet tellall i Beogradit, kur fut sherre te fqinjët me gjuhen dhe fjalorin e tij, kur ai shndërrohet në një vasal të serbomadhit Vuçiq, kur ai rrethon Kosovën me tensione dhe konflikte. Kur ai nuk ka interesa shqiptare, por të parat ka interesat e Beogradit, atëherë nuk mund të rrimë pa i thënë, Edi Rama, do t’i thonë jo Ballkanit të Hapur, jo Ballkanit të Beogradit dhe Ballkanit të Putinit, por do t’i thonë po Procesit të Berlinit”, tha ai.

Duke renditur akuzat ndaj Ramës, Berisha tha se Rama e ka ideal pushtetin dhe vetëm pushtetin.


“Ju qytetarë erdhët nga katër anët, pasi juve ju thirri ora e lirisë, ora e Shqipërisë. Shqipëria në rrezik, ishte kushtrimi që juve ju ngriti në këmbë për të shpëtuar atë. Vëllezër dhe motra, ju jeni sot këtu, sepse ju nuk pranoni më që qytetarët shqiptarë të jenë të qytetarë të lirive dhe të drejtave të dhunuara. 32 vjet më parë kur ne themeluam PD-në, diktatori i fundit, komunist dhe partia shtet kishin në duar të veta gjitha pushtetet. Sot pasardhësi i tyre Edi Rama, ia mbathi megjithëse ka gjitha pushtetet ka vendosur monizmin e plotë, përsëri ia mbathi, përsëri do t’ia mbath, kohërat e tij janë të numëruara. Në emër të juaj do t’i them Edi Ramës këto fjalë. Edi Rama ne të dy sot jemi armiq, e hidhur të them këtë fjalë, por zemra ime fjalë tjetër nuk nxjerr, sepse ti Edi Rama ke ideal pushtetin, pushtetin dhe vetëm pushtetin, kurse unë me këta burra dhe gra, kemi për ideal lirinë dhe vetëm lirinë. Ne jemi armiq Edi Rama, sepse ti pushtetin e do për të pasuruar vetën, varfëruar qytetarë dhe poshtëruar qytetarë. Kurse unë dhe këta qytetarë që janë këtu, lirinë e duan për të bërë të lirë shqiptarë”, tha ai.

Akuza të rënda ndaj Ramës, adresoi edhe liderja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cila tha se Rama ka shitur Kosovën dhe tani po e shet edhe Shqipërinë.

“Sot në këtë takim të jashtëzakonshëm, në këtë miting të jashtëzakonshëm, japim mesazhin e fortë se i vetmi flamur partie, është flamuri ynë shqiptar. Ky flamur i bukur që në fushën e tij ka gjakun e mijëra shqiptarëve që dhanë jetën për Shqipërinë, ka gjakun e mijëra shqiptarëve që u betuan për Shqipërinë. Ky flamur është motivi jonë i madh për Shqipërinë evropiane, Shqipërinë e rilindësve dhe luftëtarëve. Ky flamur sot më shumë se kurrë ka rëndësinë më madhe sepse këtë flamur Edi Rama me Open Ballkan kërkon të çnderojë… Shqipëria është në rrezik më shumë se kurrë, jo sepse Rama është kryeministër por sepse është një vegël qorre e grupeve antishqiptare sepse siç shiti Kosovën po shet edhe Shqipërinë”, tha ajo.

Protesta filloi në orën 19:00, ku mbajtën fjalim edhe aktivistë të ndryshëm dhe zyrtarë të lartë të PD-së, të cilët kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama./E.Zeqiri/​

Lexo edhe

Video