Bennet-Putin bisedojnë për Ukrainën

Bennet-Putin bisedojnë për Ukrainën

Kryeministri izraelit Naftali Bennett u takua për rreth tre orë sot me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, sipas një zyrtari izraelit.

Takimi i paparalajmëruar u zhvillua me bekimin e administratës amerikane, tha në një deklaratë Zyra e Kryeministrit izraelit.

Zyrtari izraelit tha se shtytja diplomatike e Bennett ishte gjithashtu e koordinuar me Gjermaninë dhe Francën dhe shtoi se udhëheqësi izraelit “është në dialog të vazhdueshëm me Ukrainën”.

Bennett foli gjithashtu me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky të shtunën pas takimit të tij me Putin.

Ambasadori i Ukrainës në Izrael tha për CNN se udhëheqja ukrainase ishte informuar paraprakisht për takimin e Bennett me Putin-in dhe e kishte mbështetur atë.


Pas përfundimit të takimit të Moskës, Bennett tani është në rrugë për në Berlin për një takim me kancelarin gjerman Olaf Scholz, tha zyrtari izraelit.

Tri ditë më parë, Bennett zhvilloi biseda të veçanta telefonike me Putin dhe Zelensky.

Zelensky i ka bërë thirrje Izraelit që të ndërmjetësojë përpjekjet për të arritur një armëpushim.

Ndërsa Izraeli e ka dënuar pushtimin e Rusisë në komentet e ministrit të Jashtëm Yair Lapid, vetë Bennett i ka shmangur kritikave të drejtpërdrejta ndaj Rusisë.

Izraeli ka kërkuar të mbajë marrëdhënie të mira me Rusinë në vitet e fundit në mënyrë që të mund të vazhdojë sulmet ajrore kundër objektivave iraniane në Siri, të cilat Izraeli i konsideron si kritike për të parandaluar transferimin e teknologjisë së raketave të drejtuara me saktësi te Hezbollahu, transmeton CNN.

Lexo edhe

Video