Bekim Jashari: Remzi Maksuti ishte luftëtar shembull

Eshtrat e dëshmorit Remzi Maksuti tani pushojnë në varrezat e dëshmorëve në  Lubovec të Drenicës.

Ato u identifikuan dy vjet më parë në varrezat myslimane të Mitrovicës, pasi serbët e kishin vrarë dhe zhdukur në maj 1999.

Remzi Maksuti u varros me nderime shtetërore dhe trupi i tij po vendoset pranë atyre që kishin të njëjtin ideal për Kosovën.

Nënë Zahidja, e thyer e mes lotësh megjithatë po qëndron krenare derisa pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës po kryejnë ceremoninë e varrimit të djalit të saj, që ra dëshmor kur ishte 25-vjeç.


Ajo ka pritur dy dekada eshtrat e djalit të saj të zhdukur, ndërsa sot me gjithë dhimbjen që e ndjen, është e qetë që i tani së paku e di varrin e djalit të saj.

“Më ka ardhur djali këtu, është vra për liri, e ka çliruar vendin, mirë, e kënaqur jam, ishalla në xhenet shkon, shumë mirë, për liri është vrarë”, tha ajo.

Ceremonia e sotme mortore u organizua nga Komuna e Skenderajt, kryetari i së cilës Bekim Jashari tha se Remzi Maksuti ishte betuar të luftojë për lirinë e Kosovës deri në frymën e fundit.

“Sot 22 vjet pas, po rivarrosim eshtrat e dëshmorit Remzi Maksuti në vendin e lindjes dhe rritjes, në vendin e luftës dhe rënies tij heroike ku ra për të mos  vdekur kurrë. Me këtë ceremoni ushtarake me ushtrinë tonë ne sot me krenari e sukses të plot po vazhdojmë rrugën e shenjtë të UÇK-së duke qenë në shërbim të vendit dhe sigurisë sonë nacionale. Remzi Maksuti si 25-vjeçar ishte luftëtar shembull, i vendosur, guximtar e i betuar për të luftuar deri më frymën e fundit”, tha Jashari.

Remzi Maksuti ra në betejën e 29 majit të vitit 1999 në Lubavec. Nga atëherë familja nuk kishte asnjë informacion për të, derisa dy vjet më parë eshtrat e tij u gjenden në varrezat myslimane në Mitrovicë, ndërsa rezultatet e ADN-së u konfirmuan tani. Vetëm në fshatin Lubavec vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe 4 persona.

Lexo edhe

Video

error: