Ish-kryetari i Skenderajt Bekim Jashari, djali i Hamëz Jasharit, ka dalë me një mesazh për qytetarët pak kohë pasi partitë politike përmbyllën fushatën zgjedhore për 9 shkurt.
Ai ka thënë se qytetarët duhet të zgjedhin “ata që larguan thikat nga hartat e Kosovës, ata që po e forcojnë dhe e integrojnë shtetin, ata që e mbrojnë me dinjitet dhe jo ata që dikur ishin gati ta ndanin bashkë me Vuçiqin.”
Postimi i plotë:
Më 9 shtator 2018, ish-ministri i kasapit të Ballkanit-Millosheviqit, Vuçiq tentoi të provokonte në zemrën e Drenicës, në Banjën e Skenderajt, vendin ku Serbia kreu gjenocid në vitet 1998-1999.Sot, situata ka ndryshuar rrënjësisht. Vuçiq nuk mund të hyjë më në Kosovë për të bërë provokime. U deshën 24 vite që fëmijët tanë të ecin të lirë në veri, që Kosova të ketë sovranitet dhe ligj në çdo cep të saj. Dhe mbi të gjitha, që askush të mos guxojë më të negociojë me territorin e Kosovës.
Për ata që dikur bënin plane për ndarje e shkëmbime territoresh, historia do të jetë e pamëshirshme. Kosova nuk jep më asnjë pëllëmbë tokë. Ata që sot e mbrojnë dhe e fuqizojnë Kosovën, janë ata që ia kanë kthyer dinjitetin dhe sigurinë qytetarëve të saj.
Qytetarët duhet të zgjedhin ata që larguan thikat nga hartat e Kosovës, ata që po e forcojnë dhe e integrojnë shtetin, ata që e mbrojnë me dinjitet dhe jo ata që dikur ishin gati ta ndanin bashkë me Vuçiqin.