Begaj në Nju Jork: Shqipëria është në një rrugë zhvillimi të përshpejtuar

Begaj në Nju Jork: Shqipëria është në një rrugë zhvillimi të përshpejtuar

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, po merr pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm, ku ka thënë se zhvillimi i qëndrueshëm është garancia më e fortë për një botë të karakterizuar nga paqja e Stabiliteti.

Në ditën e parë të samitit, gjatë Segmentit të Dialogut të Udhëheqësve me temë “Forcimi i politikave të integruara dhe institucioneve publike për arritjen e OZHQ-ve (objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm)”, Begaj theksoi se Shqipëria ëhstë në një rrugë zhvillimi të përshpejtuar.

“Dëshiroj  të theksoj se Shqipëria është në një rrugë zhvillimi të përshpejtuar, duke përqafuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe transformuese që përfshin zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor. Zbatimi i agjendës së OZHQ-ve nuk është vetëm një prioritet; është një përpjekje kombëtare kolektive ku janë angazhuar të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë shoqërinë civile”, tha Begaj.

Ai u ndal në hapat e ndërmarrë nga Shqipëria në kontekstin e zbatimit të OZHQ-ve, ku veçoi miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të rezolutës që përvijon angazhimet për të promovuar, financuar dhe monitoruar realizimin e OZHQ-ve, si pjesë e rrugëtimit drejt integrimit në BE, krijimin e Fondit të Përshpejtimit të OZHQ-ve, të financuar kryesisht nga qeveria, por edhe nga aktorë e partnerë joqeveritarë.


Ai tha se duhen intensifikuar përpjekjet për t’i dhënë një shtysë implementimit të Agjendës 2030.

“Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm vazhdojnë të shërbejnë si udhërrëfyesi ynë universal, i pandashëm dhe i integruar, duke udhëhequr vizionin dhe aspiratat tona për vitet në vijim”, tha ai.

Forumi i Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm, i njohur si Samiti për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm po mbahet në Nju Jork, ku po marrin pjesë kryetarët e shteteve/qeverive të vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ky samit, i dyti që nga miratimi i Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, vlerësohet si një moment kyç për të risjellë në qendër të vëmendjes së shteteve dhe qeverive nevojën për trajtimin me përparësi të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe avancimin e Agjendës 2030, pas ndikimit të pandemisë, agresionit rus kundër Ukrainës dhe një sërë faktorësh të tjerë, që ndikuan në ngadalësimin e këtij procesi.                                     

Lexo edhe

Video