BE pas deklaratave të Vuçiqit për Kurtin: Silluni në mënyrë evropiane

Bashkimi Evropian u ka bërë sërish thirrje liderëve politikë në Kosovë dhe Serbi që të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kenë “sjellje evropiane”, për të ndihmuar në ulje të tensioneve.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka bërë këto deklarata pas pyetjeve të gazetarëve për deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, “llum terrorist”, dhe ka paralajmëruar se Serbia nuk do të marrë pjesë në samitin që organizohet më 6 dhjetor në Tiranë midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që nuk janë pjesë e bllokut evropian.

“Ne, si komunitet i 27 shteteve anëtare, presim që partnerët tanë, dhe kjo vlen edhe për Serbinë, për Kosovën dhe gjithë të tjerët, të sillen në mënyrë evropiane. Nëse keni aspirata evropiane, silluni në mënyrë evropiane. Rruga evropiane do të thotë të përmbahesh nga hapat e njëanshëm, të përmbahesh nga hapat që po shtojnë konfrontimin, që po çojnë në përshkallëzim, dhe të angazhohesh në gjetjen e zgjidhjeve në mënyrë evropiane. Kjo është pritshmëria e kahershme evropiane, e përcjellë tek partnerët tanë në mënyrë të përsëritur dhe në nivele të ndryshme”, tha ai.

Stano ka thënë se është me rëndësi të merret parasysh situata dhe ajo të jetë e qetë.

“Ne presim që të dyja palët të përmbushin angazhimet e tyre dhe të përmbushin marrëveshjet e arritura tashmë. Kjo është pritshmëria e kahershme që ne vazhdojmë ta përsërisim dhe po punojmë me të dyja palët për ta bërë atë shumë të qartë. Pra, marrëveshjet e deritanishme duhet të realizohen. Sa i përket vizitës, vizita është vazhdim i bisedimeve dhe diskutimeve që patëm javën e kaluar. Pra, përfaqësuesi special për dialogun Kosovë-Beograd, apo dialogun Prishtinë-Beograd është shumë shpesh në rajon, ai udhëton sa herë që është e nevojshme për t’u angazhuar me partnerët, vizita e tij e ardhshme në rajon është pikërisht pjesë e orarit të tij të punës, siç është përshkruar shumë kohë përpara se t’i kishim këto çështje nga dita e djeshme”, ka thënë ai.


Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, ka thënë se Samiti i Tiranës ka një rëndësi të veçantë, sidomos në kontekstin e situatës globale, dhe BE pret që të gjithë liderët të marrin pjesë në të.

“Në lidhje me pjesëmarrjen në Samitin e javës së ardhshme në Tiranë, tani sigurisht që ky është një samit shumë i rëndësishëm dhe natyrisht ne presim që të gjithë liderët e rajonit të Ballkanit Perëndimor të jenë të pranishëm dhe përkrah institucioneve të Bashkimit Evropian, dhe shteteve anëtare”, tha ai.

Deklaratat e Vuçiqit për Kurtin janë bërë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërim të Nenad Rashiqit në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim.

Serbia e ka konsideruar këtë vendim si shkelje dhe ka thënë se Rashiq nuk përfaqëson serbët e Kosovës.

Duke iu referuar emërimit të Rashiqit, Stano ka thënë se “sipas vlerësimeve preliminare, emërimi i tij nuk ka qenë në përputhje me kushtetutën”.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.