BE: Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë propozimin franko-gjerman për të bërë hap historik përpara

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje edhe një herë Kosovës dhe Serbisë që të shfrytëzojnë propozimin franko-gjerman për të bërë hap historik përpara në normalizimin e marrëdhënieve, që sipas tyre është çelësi për të avancuar rrugën evropiane.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Massrali, në konferencë për medie të premten, tha se BE-ja, e mbështetur nga Franca dhe Gjermania u ka paraqitur palëve propozimin për të bërë progres konkret dhe të pakthyeshëm në rrugën e normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve.


Sipas saj, pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, nuk mund të ketë tensione të reja në Evropë.

“Bashkimi Evropian e mbështetur nga Franca dhe Gjermania u ka paraqitur palëve një propozim, për të bërë progres konkret dhe të pakthyeshëm në rrugën e normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve. Është e qartë se me agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, ne nuk mundemi, ose nuk mund të ketë tensione të reja në Evropë, dhe ne duhet të kapërcejmë gjendjen e përhershme të krizës dhe të ulim tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst, përfaqësuesi i lartë Borrell u ka kërkuar të dyja palëve që të bëjnë përparim të shpejtë mbi propozimin dhe ka mandatuar z. Lajçak të vazhdojë diskutimet me të dyja palët. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të bëjnë një hap historik përpara në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, që është çelësi, për të avancuar në rrugën e tyre evropiane. Por siç e dini, kur bëhet fjalë për plane, për letra, për dokumente të brendshme, nuk mund të shkojmë përtej asaj që u tha publikisht nga presidenti i komisionit dhe Përfaqësuesi i Lartë, Borrell”, tha ajo.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.