Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

BE kërkon nga AstraZeneca t’i përmbushë premtimet

BE kërkon nga AstraZeneca t’i përmbushë premtimet

Prodhuesi i vaksinave kundër koronavirusit AstraZeneca duhet t’i përmbushë premtimet për furnizimin e Bashkimit Evropian, përpara se të dërgojë doza gjetkë, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen,

“Kompania duhet të respektojë kontratën që ka me vendet anëtare”, tha ajo pas një takimi të BE-së, të enjten vonë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u tha gazetarëve se “ky është fundi i naivitetit të BE-së”.

“Ne duhet t’i bllokojmë të gjitha eksportet për aq kohë sa disa kompani të barnave nuk i respektojnë zotimet e tyre ndaj evropianëve”, tha ai.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se BE-ja “jo vetëm që furnizon veten, por eksporton edhe në botë, për dallim nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe”, raporton TopChannel.


Shpërndarja e vaksinave në shtetet e Bashkimit Evropian është duke u bërë ngadalë dhe blloku ka fajësuar kompanitë farmaceutike – kryesisht AstraZenecan – për mosdërgimin e dozave të premtuara.

AstraZeneca ka mohuar se nuk po e respekton kontratën e saj.

Në BE, deri më tash, janë dhënë rreth 62 milionë doza të vaksinave kundër koronavirusit. Vetëm 18.2 milionë njerëz – apo 4.1 për qind e popullsisë së BE-së prej 450 milionësh – janë vaksinuar plotësisht me nga dy doza.

Pas samitit virtual, 27 vendet anëtare të BE-së ranë dakord që të përpiqen të rrisin prodhimin e vaksinave brenda bllokut.

“Përshpejtimi i prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave mbetet thelbësor dhe urgjent, për të kapërcyer krizën. Përpjekjet për këtë qëllim duhet të intensifikohen më tej”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët.

BE-ja gjithashtu u bëri thirrje prodhuesve të vaksinave që t’i parashikojnë prodhimet e tyre dhe “t’i respektojnë afatet kontraktuale të dorëzimit”.

Lexo edhe

Video

error: