BE e UNDP shënojnë përfundimin e Projektit të Ndihmës Humanitare në Kosovë
Lexohet për: 4 min.
4
2 vite më parë
Linku u kopjua

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, së bashku me UNDP Kosovo, UN Women Kosovo, dhe partnerët mbajtën një ceremoni përmbyllëse për të shënuar përfundimin e Aksionit “Përgjigjja ndaj Emergjencës COVID-19 dhe Mbështetja e Rikuperimit të Hershëm”. 

Aksioni, i njohur edhe si Projekti për Ndihmë Humanitare (HAP), është financuar nga BE në Kosovë dhe zbatuar nga UNDP, në partneritet me UN Women dhe në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e Vullnetarëve të OKB-së, institucionet qendrore dhe lokale dhe OJQ-të partnere. 

Projekti HAP, me vlerë 5 milionë euro, filloi në dhjetor 2020 si përgjigje emergjente ndaj pandemisë, duke mbështetur më shumë se 10,000 familje. Projekti ka përmirësuar ofrimin e shërbimeve sociale nga Qendrat për Punë Sociale (QPS) dhe qasjen në mbrojtje sociale të barabartë, cilësore dhe të integruar për grupet më të cenueshme. 

Johannes Stenbaek Madsen, shef i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, falënderoi qeverinë dhe komunat lokale dhe partnerin zbatues UNDP, për përkushtimin e tyre për të arritur rezultate më të shumta dhe të mira së bashku.

"Sfida pas një mbështetjeje të tillë emergjente është qëndrueshmëria e shërbimeve të ofruara dhe sigurimi që këta njerëz të dalin vërtet nga varfëria. Bashkimi Evropian dhe partnerët do të vazhdojnë të mbështesin dhe plotësojnë përpjekjet institucionale për të arritur një sistem më efikas të mirëqenies sociale dhe për të përmbushur nevojat e më të cenuarve", tha Madsen. 

Ndërsa koordinatorja e OKB-së për Zhvillim në Kosovë, Arnhild Spence theksoi OKB-ja po qëndron së bashku me popullin e Kosovës dhe aktorët e tjerë zhvillimorë për të ofruar mbështetjen e saj të fortë".  

"Ne po jetojmë në këtë moment kritik të historisë ku duhet të shqyrtohen mënyra të reja, kreative dhe të qëndrueshme për të qenë në gjendje të përballemi me çështje të tilla komplekse që ndikojnë në jetesën dhe ekonomitë tona, dhe OKB-ja po qëndron së bashku me popullin e Kosovës dhe aktorët e tjerë zhvillimorë për të ofruar mbështetjen e saj të fortë", tha Spence.  

Mentor Morina, drejtor i Departamentit për Politika Sociale dhe Familje, në emër të Ministrisë së Financave, Punës, dhe Transfereve, tha se kjo ministri ka prioritizuar mbështetjen e kategorive sociale dhe planifikon në vazhdimësi zbatimin e programeve dhe masave për mbështetjen e grupeve të cenueshme në gjendje të nevojës sociale dhe ngritjen e mirëqenies së familjeve në Kosovë.

“Projekti i Ndihmës Humanitare(HAP) i implementuar nga UNDP dhe financuar nga Bashkimi Evropian (BE) Zyra në Kosovë, përveç se ka ofruar mbështetje direkte për mbi 8.000 familje në skemën e ndihmës sociale gjatë pandemisë Covid 19, ka arritur të përmirësojë qasjen e grupeve të cenueshme në shërbimet e mbrojtjes sociale dhe ngritë kualitetin e shërbimeve sociale nga Qendrat për Punë Sociale (QPS) dhe Organizatat Joqeveritare,” tha ai.

Ndërsa Drin Podrimqaku, shef i kabinetit në emër të Ministrisë së Shëndetësisë, tha se projekti ‘Mbështetje e Menjëhershme për Rimëkëmbje nga COVID-19’ pati një ndikim të drejtpërdrejtë në grupet dhe individët më të rrezikuar në mbarë Kosovën.

“Jemi të lumtur t'ia dorëzojmë komunitetit këtë klinikë të lëvizshme të dhuruar për të ndihmuar profesionistët shëndetësorë që ekzaminojnë pacientët e mundshëm në pjesët e largëta të qarkut”, tha ai.

Projekti HAP i financuar nga BE-ja ka qenë në qendër të përpjekjeve të UNDP-së për rikuperimin nga COVID-19 dhe i bazuar në parimin e Kombeve të Bashkuara 'të mos e lëmë askënd pas'.

Aktivitetet e projektit, të tilla si disbursimi i kuponëve për ata që jetojnë me asistencë sociale, dërgimi i vullnetarëve të OKB-së në QPS, ndërhyrjet në QPS dhe strehimoret rezidenciale, dërgimi i klinikave të lëvizshme dhe fuqizimi ekonomik i grave, të gjitha kanë pasur një qëllim të përbashkët – ofrimin e lehtësimit për ata që jetojnë në situata të cenueshme.

Ndihma e BE-së për rimëkëmbjen nga pandemia COVID-19 për Kosovën përfshinte si përgjigjet ndaj krizës së përgjithshme mjekësore të menjëhershme ashtu edhe në rimëkëmbjen socio-ekonomike pas pandemisë. Ndihma e përgjithshme financiare e BE-së në këtë fushë arriti në 168 milionë euro.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024