I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është duke bërë përpjekje që të organizojë një takim ad hoc mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përpiqet të organizohet në Bratislavë të Sllovakisë.Kryeqyteti sllovak është përmendur si vend i mundshëm ku do të mund të takoheshin të dy bartësit e dialogut, për shkak se që të dy janë ftuar të marrin pjesë në konferencën për siguri globale, Globsec, që po zhvillohet në Sllovaki.
"Ka qenë e planifikuar [që Kurti] të shkojë. Por, për shkak të zhvillimeve në vend është shtyrë pjesëmarrja. Nuk është definitive ende nëse do të marrë pjesë ose jo", thanë nga Qeveria e Kosovës.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është paraparë të marrë pjesë në një panel të mërkurën, me temën: “Rruga e hapur – Ballkani Perëndimor kthehet në punë”. Në këtë panel do të jetë i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Një takim i tillë po shihet edhe si përpjekje për të ulur tensionet në veriun e Kosovës, zonë ku serbët lokalë po protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë dhe po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Pas përleshjeve të së hënës, Bashkimi Evropian dhe NATO kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen për “uljen e menjëhershme” të tensioneve.