BE, 35 miliardë euro për Ukrainën
Bota
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së arritën një marrëveshje për bazën ligjore për një kredi prej 35 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila do të shlyhej nga të ardhurat nga asetet e ngrira ruse, njoftoi presidenca hungareze.

Grupi G7 dhe Bashkimi Evropian njoftuan në qershor se do t'i jepnin Ukrainës një kredi deri në 45 miliardë euro, nga të cilat BE-ja do t'i jepte 35 miliardë. Huaja do të shlyhej me të ardhurat nga asetet ruse të ngrira nga BE-ja pasi Moska pushtoi Ukrainën.

Sipas njoftimit të presidencës hungareze, ambasadorët e shteteve anëtare ranë dakord që të nisin një procedurë me shkrim për miratimin e rregulloreve që janë bazë për shfrytëzimin e të ardhurave nga asetet e ngrira.

Pjesa më e rëndësishme e kësaj pakete është propozimi për një rregullore për krijimin e një mekanizmi të veçantë për bashkëpunim për një kredi për Ukrainën.

Pjesë e paketës është edhe propozimi për zgjatjen e periudhës për rinovimin e sanksioneve kundër Rusisë nga gjashtë muaj në tre vjet, por ende nuk ka marrëveshje për këtë. Hungaria nuk pranon pëlqimin deri në mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Zgjatja e periudhës për rinovimin e sanksioneve nga gjashtë në 36 muaj është një kusht kyç për pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara në mekanizëm.

Uashingtoni ka frikë se do të duhet të mbajë barrën e shlyerjes së asaj kredie, pasi zgjatja e sanksioneve kërkon një konsensus në BE. Është gjithmonë e mundur që një nga anëtarët ta bllokojë këtë, gjë që do të shkrijë automatikisht asetet e ngrira, që do të thotë se kredia nuk mund të shlyhej më nga këto të ardhura.

Propozimi i huas për Ukrainën duhet të miratohet gjithashtu nga Parlamenti Evropian pasi përfshin buxhetin e përbashkët të BE-së. Pritet që deputetët të mund ta votojnë në gjysmën e dytë të këtij muaji.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024