Në analizën më të fundit të publikuar sot për 22 vende të Evropës dhe Azisë Qendrore, Banka Botërore bën thirrje për një ristrukturim rrënjësor të sektorit të ngrohjes në rajon me qëllim ofrimin e shërbimeve të qëndrueshme dhe të përballueshme për popullsinë e këtyre vendeve, veçanërisht për shtresat më të cenueshme, dhe pakësimin e përdorimit të karburanteve me emetime të larta të karbonit, raporton KosovaPres.
Raporti Drejt një Tranzicioni të Qëndrueshëm të Ngrohjes në Evropë dhe Azinë Qendrore, thekson nevojën urgjente për të siguruar ngrohje efiçente, të pastër dhe të përballueshme për të gjithë. Arritja e objektivit për emetime neto zero në rajon deri në mesin e shekullit kërkon transformim drastik të sektorit, i cili përbën sot rreth 24% të kërkesës rajonale për energji dhe është përgjegjës për rreth 22% të emetimeve të gazrave serrë (GHG).
“Tranzicioni drejt ngrohjes së qëndrueshme është një objektiv që vendet e Europës dhe Azisë Qendrore nuk duhet ta shtyjnë më tej”, tha Antonella Bassani, Zëvendës Presidente e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore. “Duke miratuar politika dhe programe qeveritare të përshtatshme, me subvencione drejt teknologjive më të pastra dhe më efiçente të ngrohjes, vendet do të mundin që brenda kësaj dekade të arrijnë uljen e kërkesës për ngrohje, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe pakësimin e emetimeve”, thuhet në raprotin e BB.
Raporti konstaton se për shkak të investimeve të pamjaftueshme, sektori i ngrohjes në vendet e Europës dhe Azisë Qendrore shpesh ofron shërbime me cilësi të ulët, nuk arrin të rikuperojë plotësisht kostot e tij, shkakton pasoja të rënda në mjedis dhe cilësinë e jetës së njerëzve. Rreth 30% e popullsisë së rajonit, kryesisht në zonat urbane, merr shërbim nga ndërmarrjet komunale të ngrohjes qendrore, të cilat mbështeten kryesisht tek lëndët djegëse fosile të subvencionuara, kanë infrastrukturë të vjetëruar dhe qëndrueshmëri të dobët financiare. Në zonat rurale, pjesa dërrmuese e familjeve përdorin soba ose bolierë me dru ose qymyr me ndotje të lartë. Të marra së bashku, këto burime karburanti shkaktojnë nivele të larta të ndotjes së ajrit që çojnë në rreth 302,000 vdekje dhe shkaktojnë një kosto të mirëqenies prej 7% të PBB-së në vit. Për shkak edhe të numrit të madh të ndërtesave të vjetra dhe me inefiçencë energjetike, kosto e lartë mbetet shqetësim pasi një e treta e popullsisë së rajonit e ka të vështirë të paguajë faturat e ngrohjes apo të sigurojë ngrohje të mjaftueshme në shtëpitë e tyre.
"Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat e mëdha me të cilat përballet sektori i ngrohjes në vendet e Europës dhe Azisë Qendrore. Qëllimi ynë është t’i pajisim politikëbërësit me njohuri të bazuara në të dhëna dhe zgjidhje të bazuara në veprime për të çuar përpara tranzicionin e ngrohjes së qëndrueshme, duke përmirësuar jetën dhe mirëqenien e popullsisë së rajonit" tha Charles Cormier, Drejtori Rajonal i Infrastrukturës në Bankën Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore. “Me prezantimin e teknologjive dhe qasjeve tashmë të testuara, vendet kanë bërë një progres relativisht të dukshëm, por këto përpjekje ende nuk janë në shkallën që të përmbushin objektivat për emetime neto zero deri në mes të shekullit”.
Raporti propozon një strategji me tri shtylla ku qeveritë mund të mbështeten për të strukturuar në mënyrë sa më efikase planet e tyre të tranzicionit:
Forcimi dhe dekarbonizimi i ngrohjes qendrore në zonat urbane me dendësi të lartë, aty ku është e mundur. Për këtë është e nevojshme të përmirësohen sistemet ekzistuese të ngrohjes qendrore dhe kalimi në përdorimin e burimeve më të pastra të energjisë si panelet diellore, burimet gjeotermale, nxehtësia e lëshuar nga mbetjet dhe biomasa e qëndrueshme. Aty ku ngrohja qendrore nuk funksionon mirë apo përdorimi i saj nuk është më ekonomik, mund të nevojitet kalimi i menaxhuar në sistemet individuale të ngrohjes.
Promovimi i sistemeve të pastra të ngrohjes individuale në zona me dendësi të ulët. Për këtë nevojiten studime që të identifikohen alternativat për ngrohje të qëndrueshme dhe me efiçencë ekonomike, si pompat e nxehtësisë ose kaldajat ekologjike me pelet, dhe promovimi i tyre përmes politikave dhe programeve të caktuara.
Raporti u mbështet nga Programi i Asistencës për Menaxhimin e Sektorit të Energjisë i Bankës Botërore (ESMAP).
Banka Botërore bashkëpunon me vendet e rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore për të pakësuar varfërinë dhe për të nxitur mirëqënien e përbashkët, nëpërmjet rritjes së kapitalit njerëzor, mundësimit të qasjes në tregje, lehtësimit të tranzicionit të gjelbër si dhe ndërtimit e forcimit të institucioneve.