Batatina: Sezoni i ri do të flas për Llapin, këta janë rivalët tanë për titull

Edicioni i ri garues ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për skuadrën e Llapit. Klubi nga Podujeva rrëmbeu edhe Superkupën e Kosovës pas triumfit ndaj Prishtinës me rezultat 3-1, por u ndal me barazim 1-1 nga Ulpiana në ndeshjen hapëse të Superligës së Kosovës.

Kjo i ka dhënë motiv shtesë kësaj skuadre dhe trajneri Tahir Batatina është i bindur se në këtë rrugë dhe me këtë mentalitet do të vazhdohet edhe ndeshjet e radhës.

Në një intervistë për KosovaPress, Batatina analizon përbërjen dhe organizmin e Llapit duke u shprehur i bindur se të gjitha punët e bëra japin indikacione për një sezon të suksesshëm.

Fitorja ndaj Prishtinës ishte hapi i parë në këtë drejtim dhe Batatina shpjegon se si erdhi deri te kjo fitore.

“Mendoj që nuk ka qenë e lehtë fitorja ndaj kampionit aktual, ne e dimë që Prishtina është kampion aktual dhe ka një skuadër të fuqishme sidomos kur luan si vendas në stadiumin e vet, e kemi pasur fatin që ky stadium është i pranuar ndërkombëtarisht dhe këtu të luhet ndeshja e Superkupës por mendoj që ne iu kemi qasur ndeshjes në mënyrën më të mirë të mundshme si në aspektin taktik por edhe në aspektin fizik…Mendoj që ne bëmë më të mirën në fushë, më gëzon fakti përveç fitimit të trofeut të dytë si trajner , është shumë ndjenjë e veçantë që për herë të parë luaj në Superkupë dhe për herë të parë e fitojë Superkupën me Llapin, kjo është ndoshta një ndjenjë e veçantë.”, tha Batatina.

Llapi ishte shumë aktiv edhe në afatin kalimtar veror duke ofruar lojtarë që sipas Batatinës do t’i japin freski skuadrës dhe njëkohësisht hapin rrugë që të luftohet për kreun e tabelës së Superligës së Kosovës.

“Këtë sezon kam qenë shumë më i vëmendshëm, kam marr lojtarë të cilët mendoj se do të më ndihmojnë në reparte të caktuara, kam rikthyer Festim Alidemën për të cilin hapat e parë në karrierën e futbollit i ka bërë te unë, te Llapi dhe mendoj që ardhja e tij e ka rikthyer atë skuadrën e cila di të luftojë për pozita të larta, rikthimi po ashtu i Adem Maliqit nga Feronikeli, një superlojtar që luan mesfushorë krahu, qendërmbrojtësi të cilin e kam marr nga Shkupi, qendërmbrojtësi i cili ka përvojë, një brazilian i jashtëzakonshëm, ka do të thotë tetë paraqitje në arenën ndërkombëtare me skuadra të ndryshme dhe rikthimi do të thotë apo mund ta quaj ardhja e Shillovës, një qendërsulmues, pastaj në skuadër kam marr dy djem nga Vushtria, Drilon Fazliun dhe Drenin të cilët kanë ardhur nga Liga e parë por po dëshmojnë që janë lojtarë të Superiores”, theksoi Batatina.


Edhe situata financiare e fituesit të Kupës së Kosovës është përmirësuar shumë dhe kjo, sipas trajnerit, duke iu falënderuar efektit që ka pasur Ligji për Sponzorizime që i ka ofruar bizneset më afër sportit.

“Mendoj që Ligji për Sponzorizim ka ndihmuar shumë skuadrat tona në vazhdimësi kanë filluar njerëzit të na ofrohen, të paktën jo ndoshta me vlera shumë të larta por nuk është me rëndësi, me rëndësi të paktën kanë filluar të rikthehen të na ndihmojnë me bizneset e tyre, me reklamimet e tyre në stadiume…Llapi ka një fond të mjaftueshëm të mjeteve financiare, kemi bërë një planifikim të mjaftueshëm për të gjithë vitin…financiarisht jemi shumë stabil si skuadër, si ekip, e kemi planifikuar buxhetin tonë vjetor atë buxhet veç se e kemi rezervuar dhe tashmë skuadrat janë duke e ditur që duhet të japin më të mirën dhe nuk mendojnë fare për çështjet financiare dhe kjo më bënë që të futem në kampionat i qetë, të futem me ambicie më të mëdha.”, tha Batatina.

Për t’u kthyer te objektivat e Llapit në sezonin e ri të Superligës, Batatina shprehet i bindur se ky do të jetë sezoni i skuadrës së tij. Ai thotë se rivalët e Llapit nuk do ta kenë aspak të lehtë të marrin pikë ndaj skuadrës që ai e drejton.

“Mendoj që sezona e re do të jetë një sezon e cila do të flas për Llapin. Vet organizimi i skuadrës, vet prurjet që i ceka më herët, stabiliteti financiar, punën të cilën jemi duke e bërë bashkarisht me ata djem, motivi i tyre i lartë, një skuadër mund ta quaj me djem shumë të talentuar, me djem me përvojë, me djem që kanë eksperiencë, mendoj që i kam gërshetuar këto gjera bashkarisht në një skuadër dhe mendoj që Llapi do të jetë i fortë për çdo kundërshtar në këtë kampionat. Nuk do ta ketë lehtë asnjë kundërshtar ta mposht Llapin, as vendas as mysafir dhe mendoj që Llapi do të luftojë për kreun e tabelës, nuk kam asnjë dyshim që nuk do të luftojë për kreun e tabelës”, theksoi trajneri i Llapit.

Por kush janë kundërshtarët që mund ta sfidojnë Llapin në luftën për titull? Batatina i thotë hapur emrat e rivalëve për edicionin 2021/22.

“Kemi rival të denjë. Ne e dimë që është Prishtina, Drita, Gjilani dhe Ballkani i shohë pak më konkurentë. Dukagjini ka bërë përforcimet e feta edhe pse është kthyer ne Superligë nuk duhet të harrohet. Kemi skuadra të tjera të cilat mund të kenë befasi por në bazë të eksperiencës çka shoh te këto skuadra mendoj që janë më pretendente dhe unë mendoj që do të kemi një futboll në këtë kampionat shumë cilësor, me nivel shumë të lartë, do të ketë ndoshta një futboll të cilin e duan adhuruesit e futbollit kosovar dhe mendoj që ky kampionat do të ketë ndoshta një prej kampionateve më të mira me vetë faktin se është investuar shumë në këto pesë skuadra.”, tha Batatina.

Në edicionin e kaluar Llapi përfundoi në vendin e pestë në renditjen tabelare nën drejtimin e trajnerit Batatina.

Lexo edhe

Video