Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë bastisur pesë lokacione të ndryshme, katër prej tyre në rajonin e Prishtinës dhe një në rajonin e Gjilanit, ku janë arrestuar tre të dyshuar, ndërsa edhe një tjetër është në kërkim.
Bastisja është kryer me qëllim të gjetjes së dëshmive dhe arrestimit të të dyshuarve, për të cilët dyshohet se në periudhën 2020-2024 kanë kryer veprat penale ‘mashtrim’, ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë, me të cilat kanë përfituar mjete materiale, të cilat më pas, me qëllim të futjes në sistemin financiar të Kosovës, kanë kryer veprime të shumta me të cilat dyshohet të kenë kryer veprën penale ‘shpëlarja e parasë’.
Me vendim të prokurorit është lëshuar urdhër ndalues i përkohshëm për 39 - banesa të ndryshme, shprehur në (m2) 3,929.52 metra katrorë, 30 – garazhe, dy lokale afariste, 17 parcela tokësore të lokalizuar në lokacione të ndryshme prej 29.903 metra katrorë, si dhe janë bllokuar pesë xhirollogari të personave të dyshuar ku janë ngrirë 179 mijë e 560 euro e 25 centë.
Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve të tyre mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të lëndës nga PSRK iu është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.