Bashkëpunëtorët e Astrit Ademajt: Peja e humbi një intelektual

Familjarë e bashkëpunëtorë kanë kujtuar kandidatin për kryetar të Pejës nga Partia Demokratike e Kosovës. Për Astrit Ademajn, i cili mbeti i vrarë të mërkurën në mbrëmje, u tha se këto ditë po bëhej gati për garën e 17 tetorit. Të njëjtit e kanë kujtuar Ademajn si njeri të urtë, punëtor e ambicioz.

Kryetari i degës së PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti për shkak të shëndetit nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje komemorative, por ai ka dërguar një telegram ngushëllimi.

“Askush nga ne nuk e ka parë as në ëndrrën më të keqe ndarjen nga jeta, por ja që nganjëherë fatet e njerëzve të mirë janë të tilla. Fjalët për Astritin janë të pakta. Astritin familja e kishte krahë të fortë, fëmijët baba shembullorë”, kishte thënë Haliti në telegramin e dërguar.

Ai tha se lajmi për vdekjen e Ademajt ka tronditur të gjithë, duke shtuar se i njëjti këto ditë po punonte për programin zgjedhor në Pejë.

Ukë Selimaj nga dega e PDK-së në Pejë ka thënë se e ka të vështirë të përballojë humbjen e Astritit, meqë bashkë kishin filluar edhe përgatitjet për zgjedhje.


“Është e vështirë t’i lexoj këta rreshta për Astritin, sepse bashkë me të kishim filluar të shkruanim rreshtat e programit zgjedhor, ku Astriti do ta shpaloste para qytetarëve ku synonte t’i bindte ata për ta bërë kryetar të Pejës. Astriti ishte i urtë, i dashur, i hareshëm dhe punëtor. Për biografinë e tij kemi shumë çfarë po flasim”, tha ai.

Më tej, theksoi se Ademaj dha kontribut edhe në reformimin e Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”.

“Ishte ambicioz e energjik, kishte synime të qarta në politikë, kishte arritur pjekurinë e duhur, merrte përgjegjësi të mëdha, për çka edhe iu besuan. Në aspektin e politikës njëzëri pa asnjë kundërshtim u caktua si kandidat i komunës së Pejës. Kishte besim të madh në suksesin e zgjedhjeve, thoshte ‘po, do ta fitojë Pejën’. Por, pa sharje për të tjerët dhe respekt për secilin, sepse punonte shumë dhe kishte motiv të madh. Na motivonte edhe neve të ekipit të tij, sepse kështu veprojnë liderët. Ai nuk e priti futjes e djalit në klasë të parë. Por ju duhet t’ia shpjegoni se ai duhet t’i ndjek hapat e tij si shembullin më të mirë se ai ka lënë hapa pas vetës. Ka lënë shumë miq kudo në Kosovë”, ka shtuar ai.

Familjari i tij, Feim Ademaj tha se sot kanë humbur shembullin e një familjari, ndërsa Peja një intelektual.

“Ju e humbët një bashkëveprimtar dhe një aktivist të palodhshëm, ne e humbëm një familjar që ishte i pashembull për të gjithë. Ndërsa Peja e humbi një intelektual. Prania juaj në këtë komemoracion na i lehtëson paksa dhembjen. Në emër të familjes Ademaj iu falënderojmë për pjesëmarrjen, me shpresë që ky të mbetet rasti i fundit tragjik i kësaj natyre në trojet shqiptare”, ka theksuar Ademaj.

Peja të mërkurën në mbrëmje është tronditur nga vrasja e dyfishtë e Astrit Ademajt dhe Blerand Kadrijaj, të dy zyrtarë të PDK-së. Ndërkohë që në këtë rast të incidentit me armë zjarri është plagosur vëllau i Astritit, Avniu. Ende nuk dihen motivet e vrasjes së Ademajt e Kadrijaj. Ky rast ka ndodhur në afërsi të shtëpisë së Astritit.

Lexo edhe

Video