Basha në Beograd: Kosova e pavarur, realitet i pakthyeshëm
Lajme
Lexohet për: 9 min.
Basha në Beograd: Kosova e pavarur, realitet i pakthyeshëm
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka marrë pjesë në Nënkomitetin për Ballkanin Perëndimor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që u zhvillua në Beograd.

Në fjalën e tij, Basha ndër të tjera foli për Kosovën, ku tha se gëzon pavarësi dhe ky është një realitet i pakthyeshëm. Ai më tej u shpreh se anëtarësimi i saj në organizatat ndërkombëtare sjell siguri jo vetëm për qytetarët Kosovës, por edhe për minoritetet që jetojnë aty.

Basha gjithashtu foli për sulmin terrorist të Banjskës, ku tha se përgjegjësit ende nuk janë vënë para drejtësisë. Kreu i demokratëve euroatlatikë më tej u shpreh se është përgjegjësi e Beogradit që të arrestojë fajtorët që janë ende të lirë në Beograd, dhe të ndëshkohen.

FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE-DEMOKRATËT EUROATLANTIK, LULZIM BASHA

Faleminderit shumë, dhe faleminderit organizatorëve. Është hera ime e parë në këtë nënkomitet për Ballkanin Perëndimor. Jam këtu për të folur për këtë temë të parë të sfidave ndaj sigurisë sonë. Dua të jem shumë i drejtpërdrejtë.

Është bërë praktikë e zakonshme të ndjekësh një nga proverbat më të vjetra të politikanëve të paaftë dhe të korruptuar që fshihen pas flamujve kombëtarë, duke abuzuar me retorikën nacionaliste, duke abuzuar me qytetarët e tyre, ose bashkëkombasit e tyre që jetojnë në vende të tjera të rajonit. Kështu, retorika mbizotëruese nuk është ajo që ka të bëjë me sundimin e ligjit, çfarë po ndodh me gjyqësorin e pavarur, çfarë po ndodh me fundin e pandëshkureshmërisë, çfarë po ndodh me luftën kundër korrupsionit, si mund të rrisim të ardhurat dhe të ulim koston e jetesës për qytetarët tanë, si mund të përqafojmë epokën e re dixhitale, që po përhapet në gjithë Evropën dhe të marrim pjesën tonë prej saj?

Si mund të frymëzojmë shpresë për brezat tanë të rinj? Si mund të bashkëpunojmë me vepra dhe jo vetëm në fjalë dhe të shpenzojmë më shumë para për infrastrukturën tonë sesa për konferenca qeveritare të përbashkëta?

Në vend të kësaj retorike, ne flasim sërish në të njëjtën mënyrë siç flisnim 20 vjet më parë, sepse konfliktet e ngrira janë alibia për të shpëtuar nga përgjegjësia, për minimin e sundimit të ligjit, minimin e zgjedhjeve të lira, lirinë e fjalës dhe lirinë e medias. Nuk ka gjë më të mirë dhe më të lehtë sesa të ngjallësh emocionet nacionaliste për të fshehur dështimet e qeverive të korruptuara. Por kjo nuk do të ndihmojë. Vetëm sa do t'i përkeqësojë gjërat.

Dua të marr shembullin që u përmend këtu, atë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Tani të gjithë e dimë që Kosova është një anëtare që përfiton nga Komisioni i Venecias, ashtu si ne të gjithë, ose të paktën duhet të përfitojmë nga këshillat e Komisionit të Venecias për kushtetutshmërinë e legjislacionit tonë. Kosova përfiton gjithashtu. Ajo është pjesë e sistemit të bankës së Këshillit të Evropës dhe po përfiton nga kreditë dhe huatë nga Këshilli i Evropës.

Pra, çfarë do të nënkuptonte anëtarësimi i plotë? Oh, përveç kësaj, ata kanë delegacionin e tyre të përhershëm në Asamblenë Parlamentare. Ata ishin aty javën e kaluar. Do të vijnë këtu nesër. Pra, çfarë tjetër nënkupton anëtarësimi i plotë?

Kjo do të thotë që Kosova obligohet të zbatojë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe i nënshtrohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku çdo ankesë e mundshme nga çdo qytetar, përfshirë serbët e Kosovës, mund të dërgohet për gjykim të drejtë nga ankuesit nëse nuk janë të kënaqur me vendimet e sistemit gjyqësor të brendshëm. Kjo nënkupton gjithashtu pjesëmarrje të plotë në kongresin e autoriteteve lokale. Do të ofrojë ekspertizën më të mirë, ndihmë dhe mbikëqyrje për qeverinë lokale në Kosovë, veçanërisht për njësitë e qeverisjes lokale të drejtuara nga udhëheqësit e komunave me shumicë serbe. Pra, pse t’i pengojmë serbët e Kosovës që të përfitojnë nga mbrojtja e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut? Pse t’i pengojmë komunat me shumicë serbe të Kosovës që të përfitojnë nga ekspertiza dhe mbështetja që ofron Kongresi i autoriteteve lokale?

Nuk ka asnjë përgjigje për këtë.

Këtu ngre kokë dyshimi, për ta thënë diplomatikisht, se interesi për të keqpërdorur serbët e Kosovës mbizotëron mbi shqetësimin për t’i parë ata të jetojnë normalisht në një Kosovë, pavarësia e së cilës është njohur nga shumica e shteteve anëtare të OKB-së. Dhe meqë u fol për të Drejtën Ndërkombëtare Publike, pavarësia e saj është konsideruar në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare nga autoriteti më i lartë, që është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Pra, të ushqesh histeri në vend që të ndihmosh serbët e Kosovës me jetët e tyre të përditshme është rruga e gabuar. Dhe kjo nuk vlen vetëm për Kosovën.

Dua ta them. E kam thënë në Strasburg. Duhet ta them edhe në Beograd. Megjithëse jam shumë i lumtur që dëgjova angazhimin e shprehur këtu nga zyrtarët më të lartë të mikpritësve tanë për paqen dhe stabilitetin, duhet të them se është një frymë e freskët pas retorikës luftënxitëse, paradës së pajisjeve ushtarake.

Pra, ky është një kërcënim i shkëputur, që i shërben një narrative që largohet nga problemet reale në rajonin tonë, sfidat reale për sigurinë tonë.

Dhe ajo i afrohet shumë agjendës dhe këndvështrimit të ushqyer nga Rusia, një kundërshtare e qartë e vlerave që na bashkojnë rreth kësaj tryeze dhe në Këshillin e Evropës, dhe i vizionit tonë që të gjitha vendet tona të jenë anëtare të Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur. Një kundërshtare që qartazi dëshiron që Ballkani të bëhet një front i dytë, për të larguar vëmendjen nga lufta e tyre në Ukrainë, krimet dhe shkatërrimet e tyre të papërshkrueshme në Ukrainë, dhe kërcënimet që vazhdojnë të bëjnë ndaj vendeve të tjera, përfshirë Moldavinë dhe aleatëve të tjerë. Ata flasin për paqen ruse, por është gjithçka përveçse paqe. Është luftë, krime lufte dhe vuajtje. Dhe këndvështrimi i tyre është në kundërshtim me gjithçka që përfaqëson Integrimi Europian. Ata ushqejnë me furi imperializmin nacionalist, për një botë ku një komb dominon mbi kombet e tjera.

Dhe copa të kësaj narrative mund të dëgjohen në Ballkan. Unë ende nuk e di çfarë nënkupton “Bota Serbe”. Disa kolegë thanë që nuk e dimë çfarë nënkupton “Shqipëria e Madhe”. Epo, më lejoni t'ju them. Shqipëria e Madhe, për sa më përket mua dhe sa i përket udhëheqjes në Shqipëri, Kosovë dhe udhëheqjes politike në Maqedoninë e Veriut, është një mit. Ne nuk frymëzojmë “Shqipërinë e Madhe”. Ne frymëzojmë Republikën e Shqipërisë, Republikën e Maqedonisë së Veriut, Republikën e Serbisë, Republikën e Malit të Zi - anëtarë të Bashkimit Evropian, si zgjidhje përfundimtare, si garanci për të drejtat njerëzore, të drejtat socio-ekonomike dhe të drejtat kombëtare të të gjitha kombeve të Ballkanit.

Minimi i sovranitetit të secilit prej nesh, minimi i sovranitetit të Kosovës, minimi i sovranitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, minimi i sovranitetit të Malit të Zi, është në kundërshtim me këtë.

Nevojitet një angazhim i fortë, që fillon me njohjen e një realiteti të pakthyeshëm. Dua të them, nëse njerëzit në Beograd dhe në Nish e dinë, pse të mos e përqafojë edhe udhëheqja politike? Pse të ushqejmë një krizë tjetër?

Kosova është e pavarur! Ky është një realitet i pakthyeshëm. Pse të mos e përfundojmë këtë dhe të përqendrojmë gjithë energjinë tonë në atë që ka rëndësi për qytetarët tanë? Dhe ky angazhim duhet të tregohet me vepra.

Një vit më parë, një sulm ndodhi në territorin e Kosovës. Nga forca të mirë trajnuara dhe të pajisura mirë, që për fat të mirë dështoi. Por ata që janë përgjegjës ende nuk janë vënë para drejtësisë.

Është përgjegjësia e të gjithëve, përfshirë Beogradin, që ta bëjnë këtë. Fajtorët kryesorë janë ende të lirë këtu në Beograd. Dhe mund të ndodhë që të ndeshemi me ta në korridoret e hoteleve këtu në Beograd. Nuk duhet dhe nuk mund të tolerohet mosndëshkimi për akte të tilla. Kështu merr formë angazhimi për paqen dhe stabilitetin.

Pra, po, mendoj se ka përparim krahasuar me dekada më parë. Unë besoj që qytetarët tanë gjithashtu e shohin këtë përparim. Mendoj se shumica e qytetarëve e shohin që retorika nacionaliste, minimi i sovranitetit të njëri-tjetrit, është thjesht një mashtrim për të fshehur dështimet, për të ofruar prosperitet ekonomik, mundësi, barazi përpara ligjit, zgjedhje demokratike, institucione të pavarura.

Sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më shpejt do të kuptojmë se fshehja e problemeve tona reale dhe sfidave të vërteta të sigurisë sonë, që përfshin dështimin e sundimit të ligjit, dështimin për të krijuar dhe mbajtur institucione të pavarura, përfshirë gjyqësorin e pavarur, dhe dështimin për të organizuar zgjedhje demokratike të pakontestuara, do të na çojë në tryezë, jo duke u ankuar, por si anëtarë të Bashkimit Evropian, që besoj, është gjithashtu zgjidhja përfundimtare për të gjitha problemet tona, reale dhe artificiale.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024