Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” përmes protestës kërkojnë intensifikim të punimeve

Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” në Prishtinë, pasditen e së enjtes kanë protestuar për gjendjen infrastrukturore në lagjen e tyre, si pasojë e punimeve tash e katër muaj. Duke bllokuar rrugën kryesore për disa minuta, banorët e kësaj lagje, kërkuan intensifikimin e punimeve, në të kundërtën paralajmëruan protesta më madhore dhe para objektit të Komunës së Prishtinës.

Përfaqësuesi i banorëve, Dren Shahini, derisa renditi ankesat në këtë lagje, tha se ndjehen të neglizhuar nga komuna.

Ai tha se tash e lagjja e tyre është kthyer në tmerr për jetesë dhe për më keq, sipas tij nuk janë të njoftuar çfarë data përfundojnë këto punime.

“Është i papërballueshëm pluhuri në ditë vape dhe e papërballueshme  balta në ditë kur ka reshje. Me reshjet e fundit, jo për shkak të intensitetit po për shkak të punimeve bizneset mbrapa janë dëmtu shumë, shumë podrume janë përmbytë, shumë ndërtesa e garazhe të katit përdhese. Kjo nuk është fare e dinjitetshme që asnjë autoritet së paku prej komunës nuk ka qenë t’i vizitojë këto biznese të dëmtuara. Që katër muaj ne jemi kthyer në akrobatë cirku duke u munduar të gjejmë gurë e çka do qoftë  me qit hapin me kalu. Tash e katër muaj njerëzit me nevoja të veçanta janë të mbyllur në banesa të tyre sepse nuk kanë si të dalin e si të ecin e lëvizin. Tash e sa ditë e pothuajse çdo ditë nga një veturë dëmtohet për shkak të pusetave të hapura dhe për shkak se rrugët alternative që ne i përdorim nuk janë të mirëmbajtura. Ky trajtim që po na bëhet neve është i padinjitetshëm…Kërkesat tona qenësore janë këto: Intensifikim i punimeve qoftë edhe mbrëmje, qoftë edhe në tre turne çfarëdo qoftë komuna duhet të përgjigjet në këtë kërkesë punimet duhet të jenë të pandalshme,  jo me orar zyrtar 4-8 por  tërë kohën të punohet sepse nuk guxojmë të hyjmë në sezonin e dimrit me këtë qasje e tempo”, tha ai.

Edhe banorë të tjerë protestues kritikuan qeverisjen e kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti duke thënë se  iu është vështirësuar jetesa në këtë lagje si pasojë e keq menaxhimit të tij.


“Mu me ka ndodhë personalisht  me një komshi me një fëmijë të vogël ka qenë me urgjencë edhe kam mbetur në kolonë. Fëmija as një vit si ka pasë dhe nuk e kam ndi vetën naj here me n ‘zor si me qenë fëmija jem…edhe nëse tjetri është i moshuar ka të drejtë të marr shërbimet e nevojshme. Këtu jena si me jetu ne Kabul sa taksa paguajmë…dhe në fund qe një vit fekalet kanalizimi është që na del aty. S’ka gjë më turpshme nuk e di çka bën ai kryetar komune. Për mendimin tim ai është menaxhmenti më i keq që ë njeh historia e Prishtinës” tha banori Alfred Shpata.

Kritik u shfaq edhe banori Zenel Sherifi.

“Jetëson tonë e ka vështirësuar shumë. Unë jam bashkatdhetar. Rastin më të freskët e kam  të hënën  me nënën e kam pesë  sëmur mu ka dashtë para duarve me mbajt… unë kam lindë këtu me gropa kur ka qenë pa asfalt po që prapë pas 49 viteve me gropa. Me këtë menaxhimin dobët dhe është marre me thane që është kryeqytet i Kosovës. Nuk e kisha quajt  kryeqytet se po me vjen marre me thanë që jam prishtinali me këtë situatë kështu, pluhur rruga katastrofë, vijmë prej atje dhe duhet me investu kerre në gropa të Prishtinës kjo është marre” tha banori  tjetër Zenel Sherifi.

Ndërsa, Dren Shahini, paralajmëroi protesta të serishme para komunës në rast se nuk realizohen kërkesat e tyre  për intensifikim të punimeve brenda një jave.

“Po ju premtoj se bashkë me juve nuk do ta zgjasim protestën më larg se një javë,  nëse nuk shohim intensifikim të punimeve le të bëjë cfarë të dojë komuna, le të kërkojë ndihmë nga Ministria e infrastrukturës, intensifikim i punimeve përndryshe kjo është hera fundit që protestojmë në lagje nuk e bllokojmë me vetën. Do të jem përballë kuvendit komunal dhe bashkë me ne do ta marrim edhe pluhurin edhe ujin fekal edhe balten do ta marrim me vete dhe do ta lemë para hyrjes se komunës së Prishtinës le ta përjetojnë edhe ata se çka do te thotë përditshëm të jetosh në pluhur, baltë dhe aromë të ujërave fekal”, tha ai.

Banorët protestues kritikuan kryetarin Shpend Ahmeti për mos vizitë në këtë lagje  duke thënë se ka qenë vetëm një herë në 8 vjet të mandatit të tij.

Lexo edhe

Video

error: