Banorët e fshatit Shipitullë: Shpronësimet na kanë detyruar t’i mbyllim fermat
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Ajri i ndotur, zhurmat e mëdha, mbyllja e fermave, ambulancës dhe shkollës janë disa nga shqetësimet të cilat i shprehën sot banorët e fshatit Shipitullë të Obiliqit duke protestuar para objektit të ri të qeverisë së Kosovës për të disatën herë lidhur me shpronësimet.

Disa nga rreth 40 banorë të Shipitullës që morën pjesë në protestë thanë se janë detyruar që t’i mbyllin bizneset e tyre dhe nuk janë lejuar t’i hapin të rejat për shkak të padrejtësive që po u bëhen nga shpronësimet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Përfaqësuesi i fshatit, Arsim Mjeku tha se në pamundësi për të hapur një fermë të pulave, është detyruar që biznesin ta hapë të një lloji tjetër në komunën e Fushë Kosovës.

Ai pretendoi se vija e procesit të shpronësimit ka lëvizur, e që sipas tij ekskavatori i KEK-ut është më afër shtëpive se që e lejon ligji dhe se po u merren tokat për shpronësim, por jo edhe shtëpitë.

Edhe banori, Musli Mjeku tregoi për shkak të shpronësimeve, mbi 150 krerë bagëti janë detyruar t’i heqin.

Avokatja që po merret me këtë çështje e cila banon kohë pas kohe në këtë fshat, Sadije Mjekiqi tha se brenga dhe shqetësimi i banorëve të fshatit Shipitullë janë mjaft serioze.

Ajo tha se kërkesën me shkrim e kanë paraqitur në tetë institucione duke filluar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa ministrive dhe organeve të tjera, porse shton se kanë hasur në vesh të shurdhër.

Përveç këtyre, Mjekiqi theksoi se institucionet po tregohen jo serioze dhe aspak të interesuara karshi kërkesës së banorëve të fshatit Shipitullë.

Sipas saj, ministria e Mjedisit, Planifikimmit Hapësinor dhe Infrastrukturës që merret me shpronësime ka bërë shkelje flagrante të dispozitave ligjore. Mjekiqi tha se janë shkelur Ligji për Mbrojtjen nga Zhurma, për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, ligji për Shëndetësi Publike, ai për Mbeturinat e disa të tjerë.

Banorët e këtij fshati, përveç para objektit të qeverisë, më parë kanë protestuar edhe para ministrive dhe zyrave të KEK-ut.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024