Bankwatch: Pas anulimit të ndihmës shtetërore, fabrika e planifikuar e linjitit “Tuzla 7” në telashe në Bosnje

Bankwatch: Pas anulimit të ndihmës shtetërore, fabrika e planifikuar e linjitit “Tuzla 7” në telashe në Bosnje

E ardhmja e impiantit të planifikuar të linjitit 450 MW ‘Tuzla 7’, në Bosnje dhe Hercegovinë, është përsëri në mëdyshje pasi Këshilli i Ndihmës Shtetërore të Bosnjës, anuloi vendimin e tij për të miratuar një garanci publike për një kredi prej 614 milionë eurosh nga ‘China Eximbank’ javën e kaluar, katër vjet pas miratimit fillestar të Këshillit.

Vendimi i Këshillit të Ndihmës Shtetërore i vitit 2018 për të marrë dritën jeshile të garancisë së kredisë, u konstatua në kundërshtim me legjislacionin për ndihmën shtetërore, nga sekretariati i Komunitetit të Energjisë në një rast shkeljeje kundër Bosnje dhe Hercegovinës në Këshillin Ministror, në nëntor të vitit 2021.

Rasti u hap në bazë të një ankese nga ‘Aarhus Centre’, Sarajevë dhe Bankwatch. Në vendimin e tij, Këshilli Ministror konstatoi se Bosnja dhe Hercegovina nuk përmbushi detyrimet e saj sipas nenit 18 të Traktatit, për ndalimin e ndihmës shtetërore që shtrembëronte tregun.

Garancia për ‘Tuzla 7’, mbulonte 100 për qind të kredisë, plus interesin dhe kostot e tjera lidhur me të, por si palë kontraktuese e traktatit të Komunitetit të Energjisë, Bosnja dhe Hercegovina duhet të ndjekë rregullat e BE-së për subvencionet në sektorin e energjisë. Një prej tyre është se në shumicën e rasteve, garancitë shtetërore mund të mbulojnë vetëm deri në 80 për qind të shumës totale të kredisë.


Vështirësitë e ‘Tuzla 7,’ u shtuan vitin e kaluar kur u zbulua se vetë kontraktori, Gezhouba i Kinës, nuk mund të përmbushë më kontratën e tij për shkak të tërheqjes së GE si furnizues i pajisjeve. Megjithatë, qeveria dhe parlamenti i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës duket se hezitojnë të marrin një vendim përfundimtar mbi fatin e këtij projekti.

Pippa Gallop nga CEE Bankwatch Network – tha se e mirëpresin këtë vendim të Këshillit të Ndihmës Shtetërore.

“Shpresojmë që të sinjalizojë fundin e sagës fatkeqe ‘Tuzla 7’. Ndërprerja e linjave të projektit është gjëja më e arsyeshme për t’u bërë në mënyrë që Bosnja dhe Hercegovina të mund të vazhdojë drejt një planifikimi më të shëndoshë ekologjik dhe ekonomik të energjisë”, tha ajo.

Ndërsa, Denis Zisko nga ‘Qendra Aarhus’ në Bosnje dhe Hercegovinë  tha se sektori energjetik i Bosnje dhe Hercegovinës tani duhet të bëjë një kthesë. “Vendimmarrësit tanë duhet të përshpejtojnë burimet e qëndrueshme të rinovueshme dhe efikasitetin e energjisë ashtu siç ata e shohin të nevojshme – ne nuk mund të humbim më kohë në projekte ndotëse dhe të shtrenjta’.

Edhe Boris Mrkela nga ‘Just Finance International’ tha se vendimi i Këshillit të Ndihmës Shtetërore hedh dritë mbi mosgatishmërinë e udhëheqjes kineze për të përmbushur premtimin e Xi Jinping për të ndaluar financimin e termocentraleve të reja me qymyr jashtë vendit. “Tatimpaguesit boshnjakë meritojnë një pasqyrë më të mirë se si shpenzohen paratë e tyre, dhe për rrezikun e kredive të mëdha për investime shumë ndotëse dhe marrëveshje biznesi jotransparente si ‘Tuzla 7’.

Video