Balaj: Organet përgjegjëse të marrin parasysh raportin e auditorit për Telekomin

Balaj: Organet përgjegjëse të marrin parasysh raportin e auditorit për Telekomin

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, deklaroi se nuk e njohin Bordin e Përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje, pasi që kryetari i bordit është njeri që ka punuar me direktiva të politikës.

Në një intervistë për KosovaPress, Balaj tha në rast se prapë bllokohen xhirollogaritë e Telekomit, nuk do t’i bie mirë as qeverisë, as ministrisë dhe as ndonjë partie politike në Kosovë.

Ai shtoi se dikush mund t’i marrë edhe si kërcënim fjalët e tij, porse të gjithë do të jenë fajtorë dhe të gjithë do të atakohen si njerëz që po bashkëpunojnë me krimin e organizuar.

Shkëputja e kontratës së Telekomit me Z-Mobile, në korrik të vitit të kaluar, do t’i kushtojë edhe 50.7 milionë euro Telekomit të Kosovës. Kjo pasi që kompania “Dardafon Net LLC”, që është në pronësi të Blerim Devollit, ka vlerësuar se dëmet të cilat i ka shkaktuar Telekomi me anë të shkëputjes së njëanshme të kontratës që kishte me Z-Mobile janë shumë më të mëdha.

E për këtë, Balaj për KosovaPress ka thënë se kjo ishte e pritshme pasi që, sipas tij, Blerim Devolli është mësuar të përfitojë nga Telekomi pa investuar as një cent.

“Kjo ka qenë e pritshme, po them e pritshme sepse tashmë Devollët janë mësuar, konkretisht Blerim Devolli të përfitojë mjete nga Telekomi pa investuar as një cent dhe me siguri që kur njerëzit e klanit të interesit, njerëzit në pushtet, kur gjykatat flenë, kur prokuroria flenë, kur politika flenë, atëherë sigurisht që ata janë të gatshëm të zhvatin buxhetin sa të mundën. Një gjë e tillë nuk besoj se do të ndodhë, por tashmë janë të alarmuara institucionet e Republikës së Kosovës, dhe nuk duhet të lejojnë një gjë të tillë”, deklaroi Balaj.

Balaj gjithashtu ka thënë se shkëputja e kësaj kontrate ishte bërë sepse ishte e paleverdishme për Telekomin e Kosovës, pasi që, siç thotë ai, ajo marrëveshje kishte zhvatur buxhetin e Telekomit të Kosovës.


E në rast se prapë bllokohen xhirollogaritë e Telekomit, Balaj ka thënë se nuk do t’i bie mirë as Qeverisë, as ministrisë dhe as ndonjë partie politike në Kosovë.

“Ne kemi pasur takime më herët me institucionet shtetërore që ka pasur me u gjete një zgjidhje nga Qeveria, për mos me u blloku Xhirollogaritë. Nuk jemi ftuar në takimin e fundit kur kanë qenë të pranishëm, që është diskutuar rreth kësaj natyre, në ministrinë e zhvillimit ekonomik, edhe pse kemi pasur premtime se do të ftohemi, ashtu na është thënë, nuk jemi ftuar. Nuk besoj, në rast se bllokohen xhirollogaritë, nuk ka me i ra mirë, tash po e them, dikush le ta merr edhe kërcënim, por nuk ka me I ra mirë as Qeverisë, as ministrisë dhe as një partie politike në Kosovë, sepse të gjithë në rast se lejojnë me ndodhë prapë një gjë e tillë, të gjithë do të jenë fajtor dhe të gjithë do të atakohen si njerëz që po bashkëpunojnë me krimin e organizuar”, ka thënë Balaj.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit gjithashtu ka deklaruar se Qeveria e Kosovës dhe organet përgjegjëse të Republikës së Kosovës duhet ta shqyrtojnë, dhe ta marrin parasysh raportin e auditorit për Telekomin e Kosovës, kjo pasi që në atë raport edhe njëherë janë konfirmuar ato se çfarë ka thënë sindikata për keqpërdorimet që janë bërë në Telekom.

“Raporti i auditorit të përgjithshëm për vitin 2019, besoj që ka qenë publik. Unë e kam lexua një pjesë të raportit, jam duke e lexuar prapë me kujdes që me e pa çka ka pasur në të, por sigurisht që atë raport janë gjetur të gjitha gjetjet që ne i kemi proklamuar në vazhdimisht, aneks-kontratat e nënshkruara një anshëm, kontratat e dëmshme e gradimet e dëmshme, dhe deri tek punësimet që kanë qenë të panevojshme dhe pa kriter. Unë besoj që raporti e ka sqaruar edhe njëherë atë se çka kemi proklamuar me vite dhe le të mbetët tek Qeveria e Kosovës dhe organet përgjegjëse të Republikës së Kosovës që ta shqyrtoj në përpikëmëri këtë raport, me analizua dhe ndoshta ta përfill njëherë e përgjithmonë raportin e auditorit të përgjithshëm”, ka thënë Balaj.

Ndërsa sa i përket raporteve që ka Sindikata e Punëtorëve të Telekomit me bordin e kësaj ndërmarrjeje, Balaj ka thënë se nuk e njohin atë si bord. Krejt kjo pasi që, siç thotë Balaj, kryetari i bordit është njeri që ka punuar me direktiva të politikës, por edhe sepse sipas ligjit për ndërmarrjet publike, atij i ka skaduar mandati si kryetar i Bordit të Telekomit, më 19 gusht.

“Raporti me bordin, janë raporte të ngrira, arsyeja që i kemi ngrirë raportet, është vet kryetari i bordit i cili për neve është ai kryetar të cilit i ka skaduar mandati me datën 19 gusht. Ky bord është jo legjitim sepse me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, bordet e përkohshme nuk kanë mandat më shumë se 6 muaj, ndërsa me 19 shkurt të këtij viti është shkarkuar bordi i rregullt, është emëruar një bord i përkohshëm, dhe me datën 19 gusht, janë 6 muaj e ky bord është i paligjshëm, domethënë tash në Telekom sa herë hyn edhe del, ky bord është i paligjshëm. Arsyeja ka qenë, vet kryetari i bordit, sepse sjellja e tij ka qenë jo serioze, ne kemi kemi incizime të takimeve zyrtare dhe është munduar në fillim të fshihet pas emrit të sindikatës dhe të thirret në sindikatë, por edhe është një djalë jo profesional, një person që punon me direktiva dhe jo me mendje të vet”, u shpreh Balaj.

E në rast se ka gradime të reja, ose sistemime në Telekom, Balaj ka thënë se nëse një gjë e tillë ndodhë, ato do të bëhen të gjitha publike pasi që gradimet dhe punësimet politike e kanë sjellë Telekomin në këtë gjendje.

Lexo edhe

Video

error: