Bajrami: T’i lëmë inatet personale dhe të fokusohemi në rimëkëmbjen ekonomike

Bajrami: T’i lëmë inatet personale dhe të fokusohemi në rimëkëmbjen ekonomike

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka dënuar aktet e mbrëmshme që ndodhen në Kuvendin e Kosovës, por ka thënë se fokusi i saj i vetëm do të jetë në funksion të rimëkëmbjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve.

Duke komentuar përplasjen e mbrëmshme ndërmjet kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit dhe deputetit Xhavit Ukaj, ministrja Bajrami ka thënë se situata të tilla janë të papranueshme dhe duhet të adresohen aty ku e kanë vendin e jo në adresën e saj.

Në shkrimin e saj në Facebook, Bajrami ka kërkuar që të lihen anash inatet personale dhe të fokusohen në rimëkëmbjen ekonomike.

“Do të kemi kohë për luftë politike dhe qërim të hesapeve personale kur shteti të rimëkëmbet nga pandemia”, thotë ajo.

Ky është postimi i saj i plotë:

Gjithçka në funksion të rimëkëmbjes ekonomike

E vetmja përplasje, e vetmja brengë, i vetmi angazhim i imi në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës është dhe do të jetë në funksion të rimëkëmbjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve. Jam dakord plotësisht me reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku u bëhet thirrje të gjithëve që mos të përdoret Parlamenti për sulme personale.

Kushdo që ka pritur që unë të hyj në mes të deputetëve kur ata fjalosen e acarohen ka pasur pritje të gabuara. Situata të tilla janë të papranueshme dhe duhet të adresohen aty ku e kanë vendin e jo në adresën time. Jam Ministre e Financave dhe i gjithë fokusi im është te adresimi i problemeve ekonomike të qytetarëve, të bizneseve, të atyre që po mbesin për çdo ditë pa punë shkaku i pandemisë.


Qytetarët po humbin për çdo ditë me secilën shtyrje që po u bëhet punëve në Parlament. Prej marrëveshjeve ndërkombëtare e deri te shtyrja e rishikimit të Buxhetit.

 

T’i lëmë pak inatet personale dhe të fokusohemi në rimëkëmbjen ekonomike. Do të kemi kohë për luftë politike dhe qërim të hesapeve personale kur shteti të rimëkëmbet nga pandemia.

Deri atëherë ruajeni shëndetin!

 

Hykmete N. Bajrami

 

Ministre e Financave

Lexo edhe

Video

error: