Bajrami: Nuk mbaj përgjegjësi për vjedhjen në Thesar

Bajrami: Nuk mbaj përgjegjësi për vjedhjen në Thesar

Ish-ministrja e Financave Hykmete Bajrami ka folur për rastin e vjedhjes së më shumë se dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit në tetor të vitit të kaluar.

Ajo në T7, ka thënë se vjedhja e Thesarit nuk është pika e saj e dobët, pasi ajo i ka marrë të gjitha masat.

“E vetmja përgjegjësi ka qenë që kam qenë ministre në kohën kur ka ndodhur ky skandal. Të gjithë duhet ta dinë, se Thesari nuk është pika e dobët e Hykmete Bajramit. Ka qenë fatkeqësi, nuk ka qenë përgjegjësi e imja. Nuk mbaj përgjegjësi për atë që ka ndodhur, i kam marrë të gjitha masat”, tha Bajrami.


Policia e Kosovës e ka evidentuar rastin në fjalë më 9 tetor 2020, ndërsa deri më 20 tetor kur u krye arrestimi i parë kanë qenë duke zhvilluar hetimet.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj dy personave nën dyshimet se kanë kryer vjedhjen e parave nga Thesari.

Labinot Gruda dhe Kadri Shala akuzohen për disa vepra penale. Gruda akuzohet për “keqpërdorim të detyrës”, “hyrje në sistem kompjuterike”, “vjedhje identiteti dhe pajisja e qasjes” dhe “shpëlarje parash”. Ndërkaq Shala për “shpëlarje parash”, “ndihmë” në ndërlidhje me “keqpërdorim detyre”.

Dyshimet e para ishin se vjedhja qe kryer përmes sistemit elektronik. Ishin bërë katër pagesa në emër të tri projekteve rrugore.

Lexo edhe

Video

error: