Bajrami informohet për gjendjen pas reformave të filluara në arsim në Kamenicë

Bajrami informohet për gjendjen pas reformave të filluara në arsim në Kamenicë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka vizituar sot qytetin e Kamenicës, ku është takuar me kryetarin Qëndron Kastrati, shefat e grupeve parlamentare dhe këshillat e prindërve të shkollave që janë prekur nga reforma e filluara në arsim nga ana e Komunës së Kamenicës.

Pas takimit me kryetarin Kastrati, ministrja Bajrami theksoi se zvogëlimi i numrit të nxënësve në klasa dhe në shkolla në përgjithësi është një fenomen që e ka prekur tërë Kosovën, e veçanërisht komunën e Kamenicës, për shkak të shpërnguljes së banorëve.

Megjithatë, ministrja Bajrami tha se një prej kompetencave të ministrisë është respektimi i kalendarit të vitit shkollor, të cilën gjë e ka kërkuar nga kryetari Kastrati.


Ajo theksoi se MASHTI është duke bërë një analizë të përgjithshme rreth gjendjes së numrit të nxënësve në shkolla në të gjitha komunat e Kosovës dhe theksoi se ministria dhe komunat duhet të veprojnë konform ligjeve në fuqi dhe kompetencave që dalin nga këto ligje.

Bajrami ka pasur një takim edhe me shefat e grupeve parlamentare në Asamblenë Komunale dhe këshillat e prindërve të disa shkollave, të cilat janë prekur nga reforma e filluar në Kamenicë, e që si rezultat prindërit kanë refuzuar t’i dërgojnë fëmijët në shkollat tjera, ata nuk e kanë filluar gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor.

Ministrja i dëgjoi shqetësimet dhe pakënaqësitë e prindërve, ndërsa kërkoi nga të gjitha palët bashkëpunim dhe gjetjen e një zgjidhje, në mënyrë që fëmijët të mos dëmtohen nga kjo situatë e krijuar dhe të kthehen sa më parë në procesin mësimor.

 

Lexo edhe

error: