Bajçinca: Qeverisja aktuale në panik, sondazhet të fabrikuara

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Enver Bajçinca i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka mbajtur një tubim në fshatin Bardh të Madh, ku të pranishëm ishin edhe qytetarë të Fushë Kosovës dhe fshatrave përreth.

Bajçinca para bashkëvendësve tha se qeverisja aktuale është në panik pasi ka parë entuziazmin qytetar për ndryshim.

Sondazhet që kryetarin aktual e nxjerrin fitues, Bajçinca i quajti të fabrikuara, e që për qëllim kanë demoralizimin e përkrahësve të tij.

Ai e akuzoi kryetarin aktual edhe për ikjen nga debatet televizive.


“Ju na jeni bashkëngjitur dhe na keni dhënë forcë në këtë misionin tonë për ndryshim që do të ndodhë. Ju na keni dhënë energjinë, na keni përkrahur dhe mbështetur dhe bashkërisht do ta bëjmë ndryshimin. Qeverisjen aktuale në Komunë e ka kap paniku. Po mundohet që me sondazhe të fabrikuara të ju hamendësojë tri ditë para zgjedhjeve, por mos iu besoni, sepse ata po bëjnë çmos, e kanë parë frikën se do të bien nga pushtetit. Se sa mirë ju dalin sondazhet atyre është evident fakti mospjesëmarrja në debate e kryetarit aktual në 4 debate të fundit, i cili po i ikë përgjegjësisë që e ka ndaj qytetarëve, për t’iu dhënë përgjigje për premtimet që i ka dhënë e nuk i ka realizuar”, tha ai para banorëve të Bardhit të Madh.

Ai tha se sondazhet e brendshme që i ka Lëvizja Vetëvendosje, e nxjerrin atë fitues, andaj ftoi qytetarët që të dielën të dalin masivisht për të votuar për ndryshimin që sipas tij do të ndodhë më 17 tetor.

Ndërsa nënkryetari i LVV-së, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Enver Bajçinca është kandidat i duhur për të udhëhequr me Komunën e Fushë Kosovës.

Konjufca tha se  Lëvizja Vetëvendosje e ka çelësin për Fushë Kosovën.

“Fushë Kosova është komunë shumë e rëndësishme që ka pësuar një rritje të vazhdueshme për shkak të pozitës që e ka dhe për shkak të banorëve që vazhdimisht kanë ardhur. Qytetarët e Fushë Kosovës e kanë vetëm edhe një ditë të mendojnë se kujt do t’ia besojnë votën për të udhëhequr e për t’i marrë vendimet më të rëndësishme për ta. E ne nuk kemi kurrfarë dyshimi që Lëvizja Vetëvendosje e ka çelësin për Fushë Kosovë, sepse e ka njeriun e duhur shumë të përgatitur, njeriun modest, por të ndershëm, e vërtetë me shumë vullnet dhe shumë i lidhur me komunën e Fushë Kosovës, e ky është Enver Bajçinca i cili do të jetë kryetar i ardhshëm i Fushë Kosovës”, tha Konjufca.

Lexo edhe

Video

error: