Në gjykatoren e Dhomave të Specializuara në Hagë këtë pasdite ka vazhduar dhënia e deklaratës hyrëse të mbrojtjes së Kadri Veselit. Avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se mbrojtja në themel e kundërshton përshkrimin që Prokuroria i ka bërë UÇK-së si një organizatë që drejtohej nga lartë-poshtë.
Ai tha se dëshmitarët kanë dëshmuar se struktura e pushtetit brenda UÇK-së ishte strukturë që në thelb ishte horizontale-vertikale, ku komandantët e zonave, madje edhe komandantët lokalë ushtronin nivele shumë të larta autonomie.
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson është shprehur se historia e trafikimit të organeve është mit.
Ai po ashtu shtoi se disa persona e kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK për qëllime politike, e disa të tjerë janë distancuar për shkak të frikës se mund të përballen me një gjykim.
“Miti i trafikimit të organeve është një prej historive të shumta mbase përmes një amplifikimi, elementi etj., e diçka që ka hedhur rrënjë por që nuk është e bazuar në fakte. Historia e luftës po kështu është shkruar dhe rishkruar në përkujtime, artikuj në gazeta, intervista libra, shpesh është shtrembëruar për t’u shërbyer interesave të protagonistëve të ndryshëm”, tha ai.
Mbrojtja e Veselit foli edhe për dëshminë e Bislim Zyrapit mbi të cilin u shpreh se ZPS është mbështetur për të paraqitur dëshminë dhe për të përshkruar disa rregullore të UÇK-së.
Emmerson u shpreh se vetë Zyrapi kishte deklaruar se këto rregulla u hartuan si pjesë e një plani për ta profesionalizuar UÇK-në.