Avokati i Popullit lanson strategjinë 2021-2025, synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore njeriut

Është lansuar sot strategjia e Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) 2021-2025, qëllimi i së cilës është të kontribuojë në rritjen e ndikimit të punës së Avokatit të Popullit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirive fundamentale si dhe në parandalimin e shkeljeve nga ana e institucioneve publike.

Me rastin e lansimit të kësaj strategjie u bë e ditur se Strategjia e IAP-së 2021 – 2025, përveç si dokument planifikues, shërben edhe si dokument me anë të të cilit duhet të vlerësohet perfomanca e institucionit. Ndërsa u theksua se Strategjia, plani i saj i zbatimit 2021–2023 dhe procesi i saj i vazhdueshëm i monitorimit dhe raportimit duhet të shërbejnë si bazë për përmirësimin e procesit të vendimmarrjes strategjike të IAP-së për pesë vitet e ardhshme.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se përmes kësaj strategjie synojnë që të fuqizojnë Avokatin e Popullit dhe avancimin e zbatimit të të drejtave të njeriut dhe ndërgjegjësimin e publikut për rolin dhe mandatin që ka ky institucion.

Ai tha se strategjia 2021-2025 ka rezultuar pas një vlerësimi të detajuar, teksa shtoi se me ndikimin e shtuar të këtij institucioni  arrihet vetëdijesimi  i publikut për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

“Kjo strategji është pa dyshim një dokument, i cili në finalizim të tij ka përpjekjet disa vjeçare të institucionit për me u ngritë dhe me u fuqizu, në anën tjetër me dalë njëri ndër institucionet më të besueshme në publik[…] Strategjia është një mjet për prioritizimin dhe përqendrimin e përpjekjeve të institucionit në fushat dhe segmentet në të cilat konsideron se ekziston nevojë më e madhe për  të zbatuar detyrimin ligjor dhe kushtetues dhe njëherësh ka për qëllim që të kontribuojë në rritjen e ndikimit të punës të IPA në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore si dhe në parandalimin e shkeljeve nga institucionet publike”, tha ai.

Ndërsa këshilltarja e Avokatit të Popullit, Rozafa Selmanaj bëri të ditur katër qëllimet strategjike të kësaj strategjie, e që secila prej tyre përmban një numër të objektivave specifike.

Nga qëllimet strategjike, ajo tha se prioritet ka mbrojta dhe mbikëqyrja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut përmes ndikimit të Avokatit të Popullit në përmbushjen e mandatit të tij,


“Strategjia e IAP  i ka 4 qëllime strategjike: qëllimi i parë është në përmbushjen e mandatit të tij, qëllimi i dytë është promovimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe roli i IAP-së, qëllimi i tretë është promovimi i Objektivave Zhvillim të Qëndrueshëm si dhe qëllimi i katërt, zhvillimi i mëtejmë i kapaciteteve institucionale dhe burimeve institucionale dhe burimeve njerëzore të IAP-së”, tha ajo.

Kurse shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power tha se kjo strategji do të jenë instrument i rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve të Kosovës, teksa bëri të ditur se do të vazhdojnë bashkëpunimin me IAP edhe në të ardhmen.

“Ne në Këshill jemi shumë krenar dhe kemi pasur një bashkëpunim të gjatë me IAP, dhe në mënyrë të veçantë kemi punuar në disa fusha, njëra është sesi të krijojmë mekanizma parandalues të torturës dhe keqtrajtimit. Duke ju falënderuar kolegëve tjerë, ky mekanizëm nuk është vetëm më i miri në rajon, por edhe në shumë vende tjera është më i miri. Ju përgëzoj për këtë[…]Bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen e do të punojmë ngushtë me ju. Mendoj se në 5 vitet e ardhshme kjo strategji dhe plani i veprimit do të jenë një instrument shumë i rëndësishëm edhe për ne, në përpilimin e projekteve tona që të shikojmë sesi mund të punojmë së bashku”, u shpreh ai.

Ndërsa Valbona Puka nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) tha se plani i zbatimit të Strategjisë së këtij institucioni është 3-vjeçar dhe ka rezultuar pas një pune të madhe që është bërë mes departamenteve dhe analizave të hollësishme.

Strategjia pesëvjeçare e IAP-së ka për qëllim të kontribuojë në rritjen e ndikimit të punës së Avokatit të Popullit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirive fundamentale si dhe në parandalimin e shkeljeve nga ana e institucioneve publike.

Ajo synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimit të qytetarëve për mandatin, rolin dhe përgjegjësitë, sigurimin e transparencës, rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të punës, si dhe rritjen e kapaciteteve profesionale dhe administrative të tij. Po ashtu strategjia synon t’i promovojë Objektivat e Zhvillimit të  Qëndrueshëm.

Hartimi i kësaj strategjie është bërë me mbështetjen e projektit të BE-së “Mbështetje Institucionit të Avokatit të Popullit”./N.Jakupi/

Lexo edhe

Video