Avokati i Popullit kritikon institucionet për trajtimin e krimeve të luftës

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka kritikuar institucionet e Kosovës se kanë bërë pak në trajtimin e krimeve të luftës.

Në vizitën që i bëri sot ekspozitës për fëmijët e vrarë gjatë luftës, Qalaj kërkoi realizimin e një hulumtimi për të parë se ku dështoi shteti në ofrimin e drejtësisë për viktimat, ballafaqimin me të vërtetën dhe ndëshkimin e atyre që i bënë krimet.

“Puna e mirë e Bekimit dhe organizatës që përfaqëson është tërheqje e vëmendjes edhe për  institucionet që kanë bërë pak në këtë drejtim. Institucioni i Avokatit të Popullit për dy dekada ka përcjell me shqetësim dhe vëmendje gjithë angazhimin e institucioneve në trajtimin e krimeve të luftës. Mirëpo tani po mendoj që është momenti i fundit kur nga ajo që pash në këtë ekspozitë ne duhet të dalim me një hulumtim se ku ka dështu shteti në ofrimin e drejtësisë për këto viktima, ballafaqimin me të vërtetën. Në anën tjetër edhe ndëshkimin e atyre që kanë bërë këto krime”, tha ai.

Në ekspozitën, “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”, ishte edhe drejtori i Qendrës për të drejtën humanitare, Bekim Blakaj, i cili tha se shpreson që institucionet kompetente do t’i përkushtohen në mënyrë të duhur trajtimit të së kaluarës.


“Jam i lumtur që institucioni i juaj është në krah tonë dhe të përkushtuar që të trajtohet e kaluara në mënyrë të duhur. Po shpresojmë që bashkëpunimi jonë do të rritet në të ardhmen. Gjithsesi shpresoj që edhe institucionet kompetente së shpejti do t’i përkushtohen në mënyrë të duhur trajtimit të kaluarës dhe realizmit të drejtave të viktimave. Qofshin ato në drejtësi, reparacione simbolike dhe dokumentimin e së vërtetës”, tha ai.

Ekspozita Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” është hapur në vitin 2019 në kujtim të 1133 fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Lexo edhe

Video

error: