Avokati i Popullit flet për vizitën në Speciale: Ja shqetësimet e të paraburgosurve, raporti në mars

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, në nëntor të vitit të kaluar ka qenë në vizitë treditore në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, dhe është takuar me të gjithë të paraburgosurit, përveç Salih Mustafës. Në një intervistë për KosovaPress, Qelaj tregon për shqetësimet e ish-ushtarëve të UÇK-së të cilët po mbahen me pretendimet për krime lufte, ndërsa paralajmëron se raportin mbi këtë vizitë do t’ia dërgojë Kuvendit të Kosovës në muajin mars. Po ashtu, Qelaj flet edhe sistemin e drejtësisë, Ligjin e pagave, pagesën e energjisë elektrike për komunat veriore dhe aneksat ndaj masave anti-COVID.

Titullari i institucionit të Avokatit të Popullit, Naim Qelaj thotë se të paraburgosurit në Hagë kanë shprehur shqetësim me garancitë procedurale që ata kanë për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

“Realisht gjatë bisedave që kam pasur me të akuzuarit ata kanë shprehur shqetësim me garancitë procedurale që ata kanë për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe ky është thelbi i krejt raportit të cilin unë do ta prezantoj, por pa dyshim që unë do të diskutoj edhe në nivel të zyrtarëve ndërkombëtarë sepse konsideroj me shumë rëndësi të kuptojë publiku dhe të gjithë se si ajo gjykatë funksionon e themeluar me ligjet e Kosovës dhe duhet të trajtohet në atë formë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të krijohet opinion që gjykatën mund ta shohim si të huajën, fundi i fundit kur ne flasim për gjykatat e Kosovës të drejtën e plotë, legjitime, e kemi me fol edhe për atë gjykatë”, deklaroi Qelaj.

Në lidhje me këtë vizitë do të ketë edhe një raport që më pas do t’i dërgohet edhe Kuvendit të Kosovës.

“E mira e gjithë kësaj vizite se unë kam shkuar në kapacitetin e Avokatit të Popullit dhe padyshim që konsideroj se pas kësaj vizite ne do të dalim me një raport i cili për shkak të natyrës që ka vizita dhe për shkak të faktit se kemi të bëjmë me një gjykatë do jetë i publikuar me një version të shkurtër por i cili do të jetë i përfshirë në raportin e Avokatit të Popullit dhe i cili do t’i adresohet edhe Kuvendit të Kosovës”, vijoi Qelaj.

Ndër vite ankesat më të mëdha në institucionin e Avokatit të Popullit adresohen për shkeljet e të drejtave të njeriut nga sistemi i drejtësisë. Ndërsa, për reformën në këtë sistem që pritet të ndodhë përmes procesit të vettingut, koncept-dokumenti i të cilit ka kaluar në Qeveri, Naim Qelaj konsideron se duhet të dëgjohet zëri i akterëve të përfshirë.

“Me shumë kujdes e kemi përcjell të gjithë debatin që është duke u zhvilluar lidhur me vettingun por edhe me veprimet konkrete të cilat po ndërmerren nga autoritetet. Padyshim përderisa nuk kemi një vendim apo ligj final qëndrimi ynë mundet me qenë mbi bazat e supozimeve se çfarë do të ndodh në të ardhmen, por mbi bazën e asaj çka shihet deri tani ne do të jemi të kujdesshëm në vlerësimet tona gjithmonë në atë principin ose parimet që jemi thirrur edhe në të kaluarën që duhet të respektohet ndarja e pushteteve, është njëra prej fondamenteve të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Në anën tjetër, duhet të rriten mekanizmat e vetëkontrollit brenda institucione gjyqësore dhe në të gjitha veprimet e mëpasshme që vijnë pastaj me këtë qëllim për ta përmirësuar performancën e sistemit gjyqësor dhe besimin në sistemin e drejtësisë, unë besoj që duhet të dëgjohet zëri i vetë akterëve që përbëjnë këtë sistem si pushtet i ndarë dhe sa më larg interferimeve politike sepse ndërhyrja e politikës në këtë proces nuk do të ndihmojë por vetëm do të dëmtojë në këtë proces”, theksoi Qelaj.


Qelaj kërkon nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt të nisë punën edhe në hartimin e Ligjit të pagave dhe miratimin e tij. Ndaj ekzekutivit hedh kritika për qasjen karshi zërave sindikalistë që përmes protestave po kërkojnë këtë ligj.

“Në situatën aktuale unë i kam dy shqetësime, shqetësimi i parë lidhet me faktin se nuk vërehet që Qeveria ka marrë hapat e nevojshme në realizimin e kësaj çështje në përpilimin e ligjit të ri dhe dërgimin e tij në Kuvend për votim dhe pastaj miratimin e tij. Dhe shqetësimi i dytë ka të bëjë me mënyrën se si po i qasen zërave të sindikalistëve autoritetet publike dhe kjo për mua është një qasje e papranueshme sepse e drejta e asociimit dhe organizimit sindikal është e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe askush nuk mund të provojë në çfarëdo forme të cënojë apo dëmtojë një të drejtë të tillë. Padyshim që e drejta e sindikalistëve të kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre është një e drejtë e garantuar dhe unë pres që Qeveria do të reflektojë ashtu që në këtë drejtim duhet të marrë hapa konkretë në nxjerrjen e këtij ligji që është shumë jetik dhe shumë i domosdoshëm për shoqërinë tonë”, theksoi ai.

Institucioni i Avokatit të Popullit në vitin që shkoi kishte pranuar disa kërkesa lidhur me mbulimin e pagesës së energjisë elektrike që shpenzohet në komunat veriore. Qelaj thotë se ende nuk kanë dalë me ndonjë qëndrim për këtë çështje, porse vazhdon të qëndrojë pas asaj se këto veprime diskriminojnë pjesën tjetër të qytetarëve që paguajnë vetë shpenzimet e rrymës.

“Nuk kemi dal me një qëndrim apo opinion lidhur me veprimet e fundit që i ka ndërmarrë Qeveria në raport me mbulimin e humbjeve të energjisë në këtë periudhë përmes dhënies së fondeve të ndara nga Qeveria për arsye të vetme sepse kemi konsideruar se një veprim i tillë i Qeverisë në aspektin ligjor mund të jetë i ligjshëm. Se a paraqet diskriminim të tërthortë për pjesën tjetër të banorëve të Kosovës që nuk jetojnë në pjesën veriore unë vazhdoj të qëndroj në konstatimin që, po ka diskriminim, për arsye se vetë fakti i trajtimit të pabarabartë të qytetarëve vetëm mbi bazën e territorit ku banojnë për neve paraqet shqetësim dhe shkelje e të drejtave të njeriut”, u shpreh Qelaj.

Për shkak të situatës pandemike, dhe me qëllim të parandalit të COVID-19, Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka miratuar masa kufizuese. Për vendimet që nuk lejojnë hyrjen në instititucione publike pa certifikatë vaksinimi pati edhe disa ankesa tek Avokati i Popullit.

Qelaj thotë se në këtë aspekt nuk konsideron se janë shkelur të drejtat e njeriut pasi masat kufizuese janë ndërmarrë për të mirën e shëndetit publik.

“Së fundmi janë ushtruar disa ankesa që lidhen me vendimin e Qeverisë për masat kufizuese e që kryesisht kanë të bëjnë me kufizimin e qasjes në objekte publike dhe private me test apo me certifikatë apo vërtetim që ke kaluar COVID-in apo je vaksinuar dhe në këtë drejtim ne nuk kemi dalë me një opinion apo qëndrim publik për arsye se duke parë praktikën se si kanë vepruar shtetet e tjera të cilët edhe më herët janë përballë me këtë shqetësim, kemi ardhur në përfundim se është legjitime marrje e masave kufizuese nga shteti kur është në pyetje shëndeti publik, e rëndësishme është që autoritetet publike me pas kujdes që kur kufizojnë liri dhe të drejta të njeriut gjithmonë t’i përmbahen atyre parimeve bazë të cilat duhet të jenë legjitime, të arsyeshme, të jenë në kohë të caktuar dhe nevojën që duhet për të marrë këto masa”, u shpreh ai.

Gjatë vitit 2021 institucioni i Avokatit të Popullit ka dhënë gjithsej 147 rekomandime për autoritetet publike për çështje të ndryshme. E zbatimi i rekomandime, sipas Avokatit të Popullit, po rritet ndër vite nga institucionet që iu drejtohen ato.

Lexo edhe

Video