Avokati i Popullit e pranon ankesën e komunave për Projektligjin për Inspektim Administrativ

Avokati i Popullit e pranon ankesën e komunave për Projektligjin për Inspektim Administrativ

Ankesën e Asociacionit të Komunave (AKK) lidhur me Projektligjin për Inspektim Administrativ e ka pranuar Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP).

Ankesë kjo që ishte bërë për 24 janar të këtij viti.

“Institucioni i Avokatit të Popullit, në bazë të nenit 21.1. të Ligjit për Avokatin e Popullit, ka shqyrtuar ankesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës lidhur me Projektligjin për Inspektimin Administrativ. Ankesa është paraqitur më 24 Janar 2022, lidhur me pohimet për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut apo keqpërdorim nga autoritetet publike në Projektligjin për Inspektimin Administrativ. Prandaj, në pajtim nenin 21.1.2. të Ligjit për Avokatin e Popullit, ka vendosur si të pranueshme ankesën, për hetimin e shkeljeve eventuale të pohuara”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

​Javën që lamë pas në një takim të kryetarëve të komunave, ku pjesëmarrës ishin 27 kryetarë, përveç përfaqësuesit nga Podujeva, të gjithë kryetarët e tjerë kishin kërkuar që të ndërpritet procedimi i këtij projektligji. Kështu kishte bërë të ditur për KosovaPress, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.


“Kërkuan nga Asociacioni i Komunave të Kosovës që të krijojnë nga niveli qendror që ky projektligj të ndërpritet në procedim. U dhanë shumë arsyeje se pse duhet të ndërpritet procedimi i këtij ligji. Një nga arsyet është se janë disa ligje, të cilat rregullojnë këtë fushë. Gjithashtu kryetarët e komunave vlerësuan që ky ligj është në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Kosovës, si gardian i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut. Por, gjithashtu është në kundërshtim edhe me kundërshtim me kartën evropiane mbi vet-qeverisjen lokale sa i përket autonomisë së nivelit lokal”, tha Ibrahimi ditë më parë për KosovaPress.

Sipas tij, nëse ky projektligj miratohet nga parlamenti, cenohet demokracia lokale.

Ai njofton se me të njëjtin i lejohet një inspektori të ketë mundësinë e inspektimit pa paralajmërim për çdo zyrtar publik.

​Ibrahimi pati treguar edhe se inspektorët mund të marrin gjitha dokumentacionet, të intervistojnë palët dhe dëshmitarët, të fotografojnë persona dhe audio-incizime dhe dokumente të tjera. Në lidhje me këtë, ai thekson se këtë mund ta rregullojë prokuroria por jo edhe një agjencion i cili formohet nga Qeveria e Kosovës.

Sipas këtij projektligji, inspektorati ka kompetencë të iniciojë procedurë disiplinore kundër zyrtarëve publik, të shqiptojë gjobë deri në 700 euro dhe gjithashtu ta përjashtojë nga puna.

Lexo edhe

Video