Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë vetëm ditën e djeshme kanë shqiptuar 120 masa ndëshkrimore për shkelësit e ligjit të Kontrollit të Duhanit. E kjo iniciativë për shtim të inspektimeve lidhur me zbatimin e këtij ligji erdhi pas urdhrit që dje ka dhënë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
Ndërsa, vetëm vitin e kaluar nga inspektorët e AUV-it janë shqiptuar gjithsej 100 masa ndëshkimore për shkelësit e prijës së duhanit në hapësira të mbyllura.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinasirë, Lamir Thaçi tha se me të marrë urdhrin, të gjithë inspektorët janë dërguar në terren dhe po vazhdojnë inspektimet.

Ai theksoi se inspektimet kanë qenë rigoroze ndaj shkelësve të këtij ligji.
“Agjencia posa ka marrë urdhrin që të ketë inspektime të frekuencë më të shtuar për mbikëqyrjen për zbatimin e ligjit të duhanit, ne menjëherë kemi dërguar inspektorët në terren dhe këto inspektime kanë qenë tepër rigoroze dhe secili shkelës që është hasur, ai është ndëshkuar dhe vetëm ditën e kaluar ne kemi shqiptuar rreth 120 masa ndëshkimore që janë edhe me proces verbal dhe që janë lëndë që do të shkojnë pastaj edhe në gjykatë“, u shpreh ai.
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi theksoi se si institucion mbikëqyrës kanë mungesë së trupave inspektuese. Prandaj, ai bëri thirrje që edhe institucionet tjera t’i ndihmojnë në zbatimin e ligjit për Kontrollin e Duhanit.
Thaçi theksoi se aktualisht kanë 48 inspektorë që janë duke zhvilluar këto inspektime.
Teksa ka treguar shumat e gjobave për të gjithë ata që shkelin Ligjin për Kontrollin e Duhanit, Thaçi u shpreh se vërejtjet kryesore në sektorin e gastronomisë është për ndarjet e hapësirave të hapura dhe të mbyllura.
Në vitin 2013 ka hyrë në fuqi ligji për Duhanin, por që ky ligj vazhdimisht nuk ka gjetur zbatueshmëri.
1 Koment
Komentet janë të mbyllura.