Austria me rregulla të reja strikte, kthen 100 turistë britanikë në kufi

Austria me rregulla të reja strikte, kthen 100 turistë britanikë në kufi

Austria ka refuzuar të lejojë hyrjen e rreth 100 turistëve britanikë në rajonin e skive të Tirolit për shkak të kufizimeve të reja për hyrje të vendosura për shkak të përhapjes së variantit omicron të koronavirusit.

Sipas policisë së Insbruk të hënën, pasagjerët nuk ishin në gjendje të paraqisnin një test negativ PCR ose dëshmi të vaksinimit me një dozë përforcuese të vaksinës kur mbërritën në aeroportin e qytetit të dielën. Shumica e tyre u kthyen menjëherë.

Rregullat e reja austriake për hyrjen në vend kanë qenë në fuqi që nga e shtuna për udhëtarët nga Britania, Holanda, Danimarka dhe Norvegjia për shkak të numrit në rritje të rasteve të variantit të virusit omicron në ato vende.


Udhëtarët nga vendet ku varianti omicron është i përhapur duhet të karantinohen nëse nuk janë në gjendje të paraqesin një test PCR ose nëse nuk janë vaksinuar tri herë.

Industria austriake e turizmit dhe mikpritjes po përballet gjithashtu me një shtetrrethim që hyri në fuqi të hënën. Qeveria vendosi javën e kaluar që baret të mbylleshin në orën 22:00 në vend të 23:00. Autoritetet anuluan gjithashtu planet për të hequr shtetrrethimin në natën e Vitit të Ri.

Pas një karantine tri javore në nëntor dhe dhjetor, shkalla e incidencës shtatë-ditore në Austri kohët e fundit ra në rreth 170. Megjithatë, ekspertët presin rritje sërish së shpejti për shkak të variantit më ngjitës omicron të virusit.

Lexo edhe

Video