Auditori: Policia dhe Ministria e Infrastrukturës nuk kanë qenë efikase në ofrimin e sigurisë rrugore

Auditori: Policia dhe Ministria e Infrastrukturës nuk kanë qenë efikase në ofrimin e sigurisë rrugore

Ndikimi i Policisë Kosovës në rritjen e sigurisë në trafikun rrugor nuk ka qenë efikase. Ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit dhe komuna e Prishtinës nuk i kanë mirëmbajtur rrugët ashtu siç duhet.

MIT nuk ka identifikuar pikat me rrezikshmëri në trafik (pikat e zeza) dhe ka mangësi tjera në organizimin dhe mbikëqyrjen e procesit të aftësimit dhe provimit për patentë shofer dhe në procesin e kontrolleve teknike të automjeteve.

Kështu thonë të gjeturat e raportit të auditimit të performancës “Siguria në trafikun rrugor” i kryer nga Zyra Kombëtare e Audtimit.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani tha se përmes këtij raporti po synohet që të ofrohen përmirësime në ofrimin e sigurisë në trafikun rrugor nga ana e organeve përgjegjëse.

Por, sipas tij është shqetësues se raporti ka nxjerr në pah një moskoordinim në mes akterëve kryesorë për të pasur një qasje më të mirë të organizuar krahas këtij shqetësimi.

Kurse, ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca tha se siguria në trafikun rrugor mbetet një prej problemeve kryesore të shoqërisë kosovare, pasi që organet Policia e Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës nuk kanë arritur të jenë efektive për të rritur sigurinë rrugore.

Duke iu referuar të gjeturave të raportit, Spanca tha se mbulimi i mangët i rrugëve me kontrolle policore, mos orientimi i kontrolleve policore sipas rreziqeve dhe shumë shkaqe të tjera që janë përmendur në raport kanë bërë që të dështoj Policia e Kosovës në ofrimin e një sigurie më të lartë në trafikun rrugor.

Raporti i auditimit të performancës “Siguria në trafikun rrugor” u prezantua nga Labinot Sadiku, i cili tha se  kontrollet policore nuk orientohen në bazë të shkaktarëve të aksidenteve dhe rrezikshmërisë së rrugëve.

Madje 48 përqind e ekipeve patrulluese gjatë ndërrimit nuk mbikëqyren fare nga rreshterët.


Sadiku duke folur për të gjeturat e raportit për sigurinë rrugore tha se Policia e Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës nuk kanë identifikuar vendet me rrezikshmëri të lartë.

Raporti thotë se procesi i testimit në fushën e patentë shoferit vazhdon pa një mbikëqyrje dhe mund të karakterizohet me parregullsi të ndryshme, dhe kjo rrjedhimisht ndikon direkt në sigurinë në trafikun rrugor.

Për dhënien e provimit për patentë shofer, monitorimi i provimit në pjesën teorike dhe pjesën praktike duhet të realizohet nëpërmes sistemit elektronik të kamerave, raporti ka gjetur se gjatë testimit praktik të kandidatëve, ka raste kur ky proces përcillet me mos funksionim të tyre. Organi për mbikëqyrje profesionale në raportet e tij ka identifikuar prishje të shpeshta të kamerave dhe kamera jashtë funksionit gjatë procesit të testimit dhe vlerësimit.

Zyra Kombëtare e Auditorit të Përgjithshëm ka nxjerr gjithsej 26 rekomandime me qëllim të përmirësimit të gjendjes në trafikun rrugor. Prej tyre 8 i janë rekomanduar Policisë së Kosovës, 10 ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, kurse 6 rekomandime janë bërë për komunën e Prishtinës. /KosovaPress/

 

 

Lexo edhe

Video

error: