“Atlasi Etnografik Shqiptar”, projekti madhor i Institutit të Antropologjisë dhe Studimit të Artit

“Atlasi Etnografik Shqiptar”, projekti madhor i Institutit të Antropologjisë dhe Studimit të Artit

Në kuadër të “Ditëve të Albanologjisë” në Shqipëri u zhvillua konferenca shkencore “Atlasi Etnografik Shqiptar: Kultura, Natyra, Arti”. Të ftuar ishin antropologë nga qendrat e kërkimit shkencor dhe universitar në Kosovë dhe studiues të fushave ndërdisiplinare.

Prof.dr. Nebi Bardhoshi tha se “Atlasi etnografik” është projekti më madhor që Instituti i Antropologjisë dhe Studimit të Artit ka realizuar prej vitesh.

Kërkuesit shkencorë kanë hulumtuar terrenin e 40 fshatrave në kushtet e pandemisë, e edhe për këtë arsye “ka qenë një sfidë profesionale dhe etike ky projekt”. Është krijuar kështu një arkivë tejet e pasur që dëshmon ndryshimet në jetën kulturore, politike, ekonomike dhe sociale të komuniteteve rurale, nga formimi i shtetit shqiptar deri në bashkëkohësi.

“Mbledhja e të dhënave në terren do të shërbejë për kërkim të mëtejshëm nga të tjerë studiues dhe studentë për të arritur te një produkt shkencor”, tha Mirela Muça, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) si mbështetës financiar i këtij projekti.


Në seancën e parë të konferencës Dr. Olsi Lelaj (IAKSA) prezantoi “Atlasi etnografik i fshatit shqiptar sot: çështje dhe risi” dhe homologia e tij, Dr. Lumnije Kadriu (Departamenti i Etnologjisë – Instituti Albanologjik i Prishtinës) paraqiti “Atlasi etnografik i fshatit kosovar: Një projekt i ri kërkimor”.

Prof. ass. dr. Arsim Canolli (Departamenti i Antropologjisë – Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës) mbajti ligjëratën “Kujtesa historike e Kosovës”.

Në pjesën e dytë “Atlasi, Kultura, Natyra”, ligjëruan: Prof.dr. Nebi Bardhoshi, me temën “Shdërrimet e fshatit shqiptar dhe “Atlasi etnografik”; Dr. Edvin Zhllima dhe Dr. Drini Imami (Universiteti Bujqësor i Tiranës & CERGE EI) trajtuan “Rolin dhe evolucionin e ndërmjetësve tradicionalë në shoqërinë rurale post-komuniste: Rasti i kryeplakut në Shqipëri”; dhe Dr. Ervin Kaçiu (IAKSA) me temën “Jetë në fill: fshati shqiptar sot, mes lokales dhe transnacionales, të shkuarës dhe së tashmes”.

Gjithashtu ligjeruan Dr. Mikaela Minga (IAKSA) me “Peizazhi tingullor i fshatit mes të djeshmes dhe së sotmes: Premisa për një rrëfim etnografik”; Dr. Ledia Dushi (IAKSA) me “Rite apotropaike. Mentaliteti dhe praktikat e mbrojtjes”; Dr. Edmir Ballgjati (IAKSA) me “Vëzhgime mbi muzikën tradicionale në fshatin shqiptar sot” dhe Ma. Eros Dibra (IAKSA) me “Kamera, një antropologji e heshtur: mbi imazhin dhe tingullin në projektin Atlasi etnografik i fshatit shqiptar sot”.

Në ditën e dytë të konferencës shkencore, dy temat kryesore ishin “Artet dhe arkivat” në lidhje me dokumentimin e artit të spektaklit teatral dhe praktikave të artit bashkëkohor; si dhe “Atlasi etnografik dhe jeta urbane” që gjithashtu dëshmoi rezultatet e punës në terren të kërkuesve të IAKSA-s në bashkëpunim me aktivistë dhe studentë. /atsh

Video