ATK: Rënia e punësimit në pandemi në trendin e njëjtë me vitin 2019

Përkundër faktit se sipas Agjencisë së Statistikave mbi 60 mijë punëtorë kanë humbur punën në pandemi, në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) theksojnë se gjatë vitit 2020 nuk ka pasur ulje të punësimit më shumë se në vitin 2019.

Gjatë shpalosjes së raportit vjetor nga ana e ATK-së, zëvendësuesi i drejtorit të ATK-së Ekrem Hysenaj, tha se për shkak të masave të Qeverisë për formalizmin e sektorit të punësimit, nuk ka rënie të punësimit në pandemi. Po ashtu sipas tij, edhe trendi i bizneseve të shuara në krahasim me vitin paraprak është i njëjtë, sikurse te numri i punëtorëve

“Nëse ndalemi te numri pak a shumë është i njëjtë sikurse viti 2019. Numri I punëtorëve të deklaruar në Trust, mirëpo nëse e krahasojmë trendin nga viti në vit kemi një rritje çdo herë, mirëpo është një trend I njëjtë viti 2019 me vitin 2020. Çka do të thotë se nuk kemi rënie në bazë të statistikave që i kemi ne të numrit të punëtorëve, mirëpo nuk kemi rritje të numrit të punëtorëve. Nuk kemi rënie, por nuk kemi rritje më shumë, ko mundet me qenë edhe si rezultat I masave që janë ndërmarrë nga ana e qeverisë për deklarimin e punëtorëve që kanë qenë joformal dhe numri I punëtorëve statistikisht ka mbetur I njëjtë”, tha ai.

Në konferencën për media drejtues të Administratës Tatimore të Kosovës(ATK) theksuan se gjatë vitit 2020, ky institucion ka shënuar rënie të të hyrave për shkak të pandemisë Covid-19.

Hysenaj theksoi se 491.8 milionë euro ka qenë planifikimi i të hyrave për vitin 2020, ndërsa janë inkasuar 467 milionë ose 78 milionë euro më pak të hyra në krahasim me vitin 2019.


Ndërsa, rënia e qarkullimit të bizneseve është rreth 1.2 miliard euro në vitin 2020.

“Të hyrat janar-dhjetor 2020 në krahasim me planifikimin kanë qenë më të zvogëluara. Me planin e rishikuar kanë qenë të planifikuara 491.8 milionë euro për vitin 2020, kurse realizimi I të hyrave ka qenë 467 milionë euro. Në krahasim me vitin 2019 kemi pasur një rënie të të hyrave jo edhe aq shumë. Për periudhën mars-nëntor kemi një rënie të qarkullimit për afër 1.1 miliard euro, por në qoftë se e përfshijmë edhe muajin dhjetor kemi një rënie të qarkullimit përreth 1.2 miliard euro që ka reflektuar në rënie të të hyrave për rreth 78 milionë euro”, tha Hysenaj.

Zëvendësuesi i drejtorit të ATK-së ka folur edhe për trendin e të hyrave të vitit 2021.

“Qarkullimin e bizneseve për 2021 ende nuk e kemi, sepse për muajin janar duhet me kaluar së paku data 20 shkurt, dhe për këtë arsye ne duhet me pritë, mirëpo nëse e krahasojmë me të hyra, plani I të hyrave për muajin janar veç e kemi tejkaluar sot që është 59.3 milionë euro plani I të hyrave për janar, kurse ne tash veç kemi inkasuar rreth 60 milionë të të hyrave, ndërsa plani i të hyrave është rreth 504 milionë është plani I të hyrave për vitin 2021”, theksoi Hysenaj.

Në vitin që lamë pas sektorët më të prekur nga pandemia ishin, ai i argëtimit dhe rekreacionit me një rënie prej 66 përqind, sektori i patundshmërisë me 27.9 përqind, sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor me një rënie prej 37.9 përqind. Edhe te pjesa e inkasimit të borxheve pandemia pati ndikim, ku në vitin 2020 janë inkasuar 94 milionë euro, krahasuar me vitin 2019 sa ishin mbledhur 103.4 milionë.

Lexo edhe

Video