ATK: Për shtatë muaj kemi mbledhur mbi 577 milionë euro të hyra
Lexohet për: 2 min.
ATK-600x360-3
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Administrata Tatimore e Kosovës(ATK) ka njoftuar se gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, të hyrat tatimore kanë kapur vlerën e 577.3 milionë eurove.

Sipas ATK-së, këto shifra tregojnë rritjen e performancës në mbledhjen e të hyrave tatimore nëse bëjmë krahasimin me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, për të cilën shohim se rritja është për 62.4 milionë euro apo 12.1% tatime.

“Janë realizuar një sërë reformash strukturore dhe administrative, të cilat kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave. Digjitalizimi ose automatizimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve dhe qytetarëve, përveç që ka ndikuar në rritjen e deklarimit vullnetar, kjo ka ndihmuar edhe në rritjen e transparencës dhe efikasitetit në mbledhjen e tatimeve. Janë zhvilluar fushata intensive për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe bizneseve për rëndësinë e pagesës së tatimeve dhe përfitimet që sjellin për shoqërinë tone”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Më tutje në njoftim thuhet se prioritet i aktiviteteve të autoritetit tatimor mbetet luftimi dhe parandalimi i ekonomisë jo-formale, për të cilën kanë intensifikuar përpjekjet për të luftuar evazionin fiskal përmes kontrolleve më të rrepta.

“Këto masa kanë kontribuar në rritjen e të ardhurave nga tatimet dhe në krijimin e një klime më të drejtë konkurruese. Rezultatet e këtyre përpjekjeve janë të dukshme. Të hyrat tatimore kanë shënuar rritje, duke kapërcyer nivelin e planifikuar dhe duke siguruar burime të rëndësishme financiare për realizimin e projekteve publike dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët tanë”, thuhet më tutje në njoftim.

Sipas ATK-së, kjo arritje është një sinjal i qartë i angazhimit për të krijuar një sistem tatimor të drejtë dhe të qëndrueshëm, i cili përmbush nevojat e shtetit dhe ndihmon në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024