Atalanta e blindon Gasperinin

Atalanta e blindon Gasperinin

Presidenti i Atalantas, Luca Percassi ka njoftuar se trajneri Gian Piero Gasperini tashmë ka nënshkruar një kontratë të re deri në vitin 2024, me mundësi vazhdimi deri në qershor të vitit 2025.

Gasperini tashmë ka krijuar një përvojë shumë të gjatë në Serie-A derisa drejtimin e Atalantas e mori në qershorin e viti 2016.

Marrëveshja e tij aktuale do të skadonte në fund të sezonit aktual, duke ndezur spekulime se ai mund të transferohej në Premier Ligë ose një skuadër më të madhe tradicionale në Serie A, transmeton KosovaPress.

Megjithatë, pasi e ka çuar Atalantën nga një skuadër që luftonte për të shmangur rënien nga kategoria e parë e futbollit italian në një pjesëmarrës të rregullt në Ligën Kampionëve për tre vite rresht, Gasp është i përkushtuar për ta vazhduar jetën në Bergamo.


“Sot ne nënshkruam vazhdimin e kontratës me Gian Piero Gasperini”, tha presidenti Percassi në “Sky Sport Italia”.

“Ai është në qendër të projektit dhe do të vazhdojë të jetë deri në vitin 2024, me një opsion për të vazhduar edhe për sezonin 2024-25.

“Ishte diçka që kishim rënë dakord gjatë verës, por këtë mëngjes ne finalizuam dokumentet. Gasperini është personi i duhur për projektin tonë.”, shtoi ai.

Mbrëmjen e sotme, Atalanta mposhti Venezian 4-0 për fitoren e katërt radhazi në Serie A. Të shtunën, ata morën fitoren e tyre të parë në ligë kundër Juventusit që nga viti 1989.

Gasperini ka 259 ndeshje konkurruese në stolin e Atalantës, duke rrëmbyer 136 fitore, 65 barazime dhe 57 humbje.

Lexo edhe

Video