Asociacioni i Komunave Serbe pritet të stopojë dialogun Kosovë-Serbi

Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel mund të bllokohet për shkak të dallimeve për çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Insistimi i palës serbe që për këtë temë të diskutohet tash, e refuzimi kategorik i kryeministri Hoti po shihet si arsye se do të zvarritët procesi i dialogut. Në partitë që e përbëjnë koalicionin qeverisë thonë se Serbia po përpiqet të bëjë opstrukcione për të kushtëzuar dialogun, por që nuk do t’i ecë mbarë. Ndërsa në Lëvizjen Vetëvendosje nuk po i zënë besë deklaratave të Hotit se nuk do të hapë temën e Asociacionit në kryeqendrën evropiane.

Nënkryetari i LDK-së, Ismet Beqiri thotë për KosovaPress, se kjo temë në këtë kohë nuk do të diskutohet në Bruksel, derisa zotohet se i njëjti në asnjë rrethanë nuk do të jetë me kompetenca ekzekutive dhe nëse Serbia nuk e njeh asnjëherë Kosovën.

“Në asnjë rrethanë nuk duhet të jetë një statut i asociacionit që jep kompetenca ekzekutive dhe krijon pushtetin e tretë në Kosovë. Kjo nuk mund të pranohet nga pala jonë sikur edhe mos të na njoh asnjëherë Serbia. Kjo nuk do të duhej dhe lëshime të natyrës së sovranitetit dhe integritetit të vendit ne nuk duhet të pranojmë në asnjë rrethanë edhe me çmimin se mund të stërgjatët kjo njohja e Serbisë”, thotë Beqiri për KosovaPress.

E më e ashpër kundër kësaj teme u shpreh Time Kadrijaj nga partia e Ramush Haradinajt.

Ani pse AAK-ja bashkëqeverisë me LDK-në, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme ia bëri me dije kryeministrit Hoti se kjo temë nuk guxon të hapet në Bruksel.

“Asnjëherë nuk duhet të marrim vendime apo të pranojmë kompromise që shkelin Kushtetutën e Kosovës. Andaj unë konsideroj që çështja e Asociacionit me kompetenca ekzekutive duhet të bëhet vetëm sipas vendimit të Kushtetueses dhe asnjë mënyrë tjetër…nuk guxon të hapet e as nuk ka çka të hapet për një verdikt që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Pala kosovare në asnjë mënyrë, ju e dini që vendimet e Kushtetueses janë pranuar nga gjitha partitë politike”, thotë ajo.

Shtyrjen e takimeve në Bruksel po e mirëpresin nga opozita.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë për KosovaPress, se në bazë të praktikave të kaluara, kryeministri Hoti e bënë të kundërtën e asaj çka e thotë.


Për këtë ka rezerva nëse ai do t’i mbajë qëndrimet kundër hapjes së temës së Asociacionit.

“Është projekt i rrezikshëm se e bosnjëzon Kosovën, e krijon një mini-shtet brenda vendit dhe natyrisht kjo është një goditje e madhe e sovranitetit dhe integritetit të vendit. Ne jemi shumë të lumtur që takimet në Bruksel fillimisht janë shtyrë sepse jemi të bindur se pavarësisht deklaratave të Hotit që i njëjti nuk do të shtrojë në tavolinë çështjen e asociacionit ky bënë të kundërtën e asaj çka thotë. Nëse e keni dëgjuar me vëmendje në Kuvendin e Kosovës pikërisht i thotë veprimet e kundërta me ato çfarë do të bëjë. Pra thotë se çështja e mini-shengenit që ka qenë kundër, por pikërisht të njëjtën e kanë nënshkruar në zotimet e Uashingtonit. Prandaj duke u bazuar në atë çka kanë thënë në vazhdimësi me qasjen e tij të padrejtë që ka zgjedhur shtyrë përpara padyshim që është rrezik i madh që projekti i për ‘Zajedincë të jetësohet. Por ne si Vetëvendosje do të kundërshtojmë këtë”, u shpreh Haxhiu për KosovaPress.

KosovaPress ka provuar të marrë një qëndrim edhe të PDK-së për këtë çështje, mirëpo nuk kanë qenë të qasshëm.

Ndërkaq nga shoqëria civile thonë se insistimi i  palës serbe për hapjen e kësaj teme ka të bëjë vetëm me zvarritjen e dialogut.

Visar Xhambazi nga D4D thotë për KosovaPress, se barra e përgjegjësinë në rast se bllokohet dialogu bie mbi Serbinë

“Çdo tendencë e palës Serbe që të insistojë në hapjen e kësaj teme, mendoj që vetëm do ta zvarritë dialogun dhe pala Kosovare nuk ka nevojë që të kthehet dhe të diskutoj për çështje që janë arritur në vitin 2015…Për 10 vite dialog janë arritur rreth 33 marrëveshje dhe pala Serbe nuk e ka ratifikuar asnjë marrëveshje e cila është arritur në Bruksel, prandaj barra e përgjithësï bie tek pala Serbe dhe jo tek pala Kosovare. Pala e Kosovës ka marrë mbi supe përgjegjësinë e sajë dhe e ka ratifikuar marrëveshjen e Brukselit, ndërsa pala Serbe nuk e ka bërë një gjë të tillë. Përderisa pala Serbe nuk i ka marrë përsipër obligimet e saj atëherë nuk e shoh të udhës të hapen tema të cilat janë pajtuar palët paraprakisht para 5 viteve, thotë ai.

Javën e kaluar dështoi takimi i radhës në Bruksel ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Fillimisht ishte e paqartë a do të mbahet për shkak të dallimeve për Asociacionin, e më pastaj si arsye u bë pandemia Covid-19.

Lexo edhe

Video