Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka pranuar shqetësimet e Komunave, Kryetarëve të Komunave dhe Kolegjiumit të Drejtorëve Komunal të Arsim, për mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Kështu thuhet në një njoftim të AKK-së.
“Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës me kujdes po përcjell situatën duke pranuar shqetësimet e Komunave, Kryetarëve të Komunave dhe Kolegjiumit të Drejtorëve Komunal të Arsim, për mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, thuhet mes tjerash në njoftim.
“Kjo qasje e nivelit qendror është në kundërshtim me praktikat e deritanishme të bazuara në ligjet pozitive në Kosovë. Deri më tani, në asnjë rast nuk ka ndodhë të kemi ndalesa të pagave të punëtorëve të asnjë sektori me të cilin menaxhojnë komunat, pa veprimin ligjor paraprak të vetë punëdhënësit”, thuhet më tej në reagim.
Bordi i AKK-së i bën thirrje Qeverisë të veprojë urgjentisht në procedimin e pagave sipas akteve ligjore në fuqi dhe të praktikuara deri tani.
Sipas AKK-s, mos ekzekutimi i pagave është qasje e panevojshme dhe nuk shkon në dobi të stabilizimit të procesit arsimor.