Asllani tregon se çfarë po ndodh me situatën e tij te Interi

Përballjet me Izraelin dhe Islandën do të jenë dy sfidat e radhës për Kombëtaren e Shqipërisë në kuadër të Ligës së Kombeve që do të zhvillohen më 24 dhe 27 shtator.

Në prag të këtyre dy sfidave, para mediave ka folur mesfushori Kristjan Asllani i cili tha se ata janë përgatitur mirë për ballafaqimin me Izraelin dhe se do të kërkojnë tre pikë të plota.


“Nuk e di, ne kemi luajtur kundër Izraelit, është një ekip shumë i fortë sepse ka lojtarë shumë të shpejtë, besoj se ne mund të kemi shumë shanse ta fitojmë këtë ndeshje, vetëm të mendojmë këtë ndeshje dhe besoj se do t’i marrim tre pikët.”, tha Asllani.


Kalimi i tij nga Empoli te Interi bëri bujë të madhe, por Asllani nuk po ka shumë minuta të dispozicion nga trajneri Simone Inzaghi. Në lidhje me këtë situatë, Asllani ka deklaruar se kjo po ndodh për shkak të konkurrencës së madhe brenda këtij ekipi.

“Nuk kam luajtur, por është normale sepse jam 20 vjeç, kam ardhur në një ekip shumë të fortë, duhet të kem durim. Kam një lojtar përpara shumë të fortë si Brozoviç dhe po mësoj shumë nga ai…Unë kur jam në kombëtare e mendoj vetëm kombëtaren, te shohim kur të kthehem, nuk e di çfarë do të bëhet. Unë stërvitem mirë, jam profesionist dhe kur të më jepet shansi do të bëjë më të mirën…Nuk e di si ka ndryshuar sepse kam kaluar nga një ekip i vogël si Empoli që kamë qëndruar 13 vite dhe kam shkuar te Interi që është super ekip dhe është presioni më i madh, e di por ‘ka problem, i kam qef këto gjëra”, tha Asllani.

Optimist para ndeshjes me Izraelin u shpreh edhe Klaus Gjasula i cili tha se skuadra ka kualitete për ta mposhtur Izraelin në udhëtim.

“Po sigurisht, u duk edhe në ndeshjen e parë që kemi mundësitë tona për ta fituar ndeshjen edhe e dimë se sa e rëndësishme është ndeshja atje për ne për ta arritur objektivin tonë. Do japim maksimumin dhe do të jemi optimistë që të marrim tre pikë atje… Ne kemi disa mungesa, por edhe ata kanë hallet e veta, prandaj u duk në ndeshjet e fundit që gjëra kanë ndryshuar, shumë lojtarë të rinj kanë ardhur dhe kjo do pak kohë, po prapë gjithsesi ne kemi kualitetin për ta fituar ndeshjen dhe ashtu do ta nisim.”, tha Gjasula.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.