ASK publikon të dhënat e eksportit dhe importit për muajin nëntor

ASK publikon të dhënat e eksportit dhe importit për muajin nëntor

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin nëntor 2021, sipas të cilave të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 38.9 përqind në muajin nëntor 2021, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 361.1 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 259.9 milionë euro në vitin 2020. Eksporti mbulon importin me 16.4 përqind.

Eksporti i mallrave në muajin nëntor 2021 kishte vlerën 70.6 milionë euro, ndërsa importi 431.8 milionë euro, që është një rritje prej 54.4 përqind për eksport dhe 41.2 përqind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit e përbëjnë: 26.6përqind metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 23.9 përqind artikujt e ndryshëm të prodhuar; 12.5 përqind plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.9 përqind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.2përqind produktet minerale; 3.9përqind produktet bimore; 3.0përqind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import e përbëjnë: 14.1 produktet minerale; 13.7përqind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 13.5 përqind metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.5 përqind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.7 përqind plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.7 përqind mjetet e transportit; 6.1përqind produktet e industrisë kimike etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 19.3 milionë Euro, ose rreth 27.3 përqind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 18.1përqind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9.8 përqind), Italia (3.7 përqind), Bulgaria (2.5 përqind), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 190.0 milion Euro, ose 44.0përqind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 39.0përqind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.7 përqind), Italia (8.0 përqind), Greqia (4.2 përqind), Sllovenia (4.1 përqind), etj.


Në muajin nëntor 2021, eksportet e Kosovës me vendet E CEFTA-së arritën në 24.5 milionë euro, ose 34.8përqind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 35.4 përqind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Shqipëria (13.0 përqind), Maqedonia e Veriut (12.0 përqind), Serbia (6.0 përqind), dhe Mali i Zi (2.9 përqind).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së, në muajin nëntor 2021, arritën në 85.2 milion Euro, ose 19.7përqind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 32.8përqind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (6.7 përqind), Serbia (6.6 përqind), dhe Maqedonia e Veriut (5.1 përqind).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 26.7 milionë euro, ose 37.9 përqind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (20.2 përqind), dhe Zvicra (7.5 përqind).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 156.6 milion Euro, ose 36.3 përqind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.2 përqind) dhe Kina (9.3 përqind).

Për më shumë informata, lidhur me Statistikat e Tregtisë së Jashtme (STJ) për muajin nëntor 2021, vizitoni:

http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/ekonomi/tregtia-e-jashtme

Lexo edhe

Video