Ashpërsohen rregullat për udhëtim drejt ShBA-së

Ashpërsohen rregullat për udhëtim drejt ShBA-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin kufizime të reja nga 6 dhjetori, me qëllim të luftimit të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Vendosja e maskës do të jetë e detyrueshme në aeroplanë, trena dhe autobusë, deri në mars të vitit të ardhshëm.

Autoritetet amerikane do të kërkojnë nga të gjithë udhëtarët ndërkombëtarë, që arrijnë në ShBA me aeroplanë, të kenë test negativ në koronavirus, të vlefshëm vetëm brenda një dite.

Këto rregulla janë pjesë e fushatës së re kundër COVID-19, të cilat janë prezantuar më 2 dhjetor nga presidenti amerikan, Joe Biden, teksa varianti Omicron kërcënon ringjalljen e pandemisë, raporton Top Channel.

Biden ka thënë se në planin e tij nuk përfshihen izolimet dhe mbylljet.


Rastet e para me variantin Omicron të koronavirusit janë regjistruar në Kaliforni, Kolorado, Minesota, Nju Jork dhe Havai.

Autoritetet shtetërore kanë thënë se personat e infektuar kanë raportuar vetëm simptoma të lehta.

Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), kanë thënë se duhet të merren masa të shënjestruara për të parandaluar përhapjen e variantit Omicron në Shtetet e Bashkuara.

Sipas masave aktuale, udhëtarët ndërkombëtarë që janë të vaksinuar plotësisht, kanë mundur të tregojnë testin negativ për koronavirus, të vlefshëm për tri ditë.

Për personat e pavaksinuar, testi negativ ka qenë i detyrueshëm dhe ka vlejtur vetëm një ditë.

Lexo edhe

Video

error: