“Artileria jonë po vdes”, Ukraina mban frymën teksa ShBA pritet të miratojë 60 miliardë dollarë ndihma
Lexohet për: 2 min.
ARMATIMI
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Ushtarët në vijën e frontit në Ukrainë thonë se perspektiva e miratimit përfundimtar në Kongresin Amerikan të një pakete ndihme ushtarake prej 60 miliardë dollarësh për Kievin do të shërbejë si një nxitje gjigante morale ndërsa Rusia bën përpjekje të përshpejtojë përparimin e saj.

Projektligji për ndihmën për Ukrainën, i miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të shtunën, do të shkojë në Senat të martën. Nëse miratohet në dhomën e sipërme të Kongresit, atëherë Presidenti Joe Biden ka thënë se do ta nënshkruajë atë në ligj menjëherë, në mënyrë që "ne të mund të dërgojmë shpejt armë dhe pajisje në Ukrainë për të përmbushur nevojat e tyre urgjente në fushën e betejës".

Lista e dëshirave të Ukrainës nuk është sekret. Në krye të listës: predha artilerie dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Për muaj të tërë, ushtarët ukrainas në vijën e frontit kanë folur se janë tejkaluar me armë nga forcat ruse. Presidenti Volodymyr Zelensky kohët e fundit tha se raporti ishte 10 me një në favor të Rusisë.

“Për të fituar, ne kemi nevojë për municion… artileria jonë po vdes nga uria (ka mungesë kritike municioni)”, tha për CNN pas votimit të shtunën, një komandant artilerie me pseudonimin “Teren”.

Teren e di se për çfarë po flet, pasi ka kaluar dy vjet duke mbrojtur qytetin industrial të Avdiivka para se qyteti të binte në shkurt. Që atëherë, forcat e Moskës kanë pasur sukses të konsiderueshëm duke shkuar më tej drejt perëndimit.

Shtetet e Bashkuara tashmë i kanë ofruar Ukrainës versionet me rreze më të shkurtër të ATACMS (raketa balistike taktike), por zyrtarët ukrainas nuk e kanë fshehur dëshirën e tyre për të marrë në dorë versionin më të ri. Me një rreze prej rreth 300 kilometrash (186 milje), raketat do t'i jepnin Kievit aftësinë për të rritur sulmet në aeroportet ruse, depot e karburantit dhe vendet e magazinimit të armëve, duke pasur një ndikim më afatgjatë në përpjekjet luftarake të Rusisë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025