Pak orë pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nënshkroi disa urdhra ekzekutivë dhe direktiva për të vendosur vulën e tij mbi administratën e re amerikane, në çështje që përfshijnë energjinë, faljet penale dhe imigracionin.
Në mesin e urdhrave të parë ishte një falje e përgjithshme e mbi 1.500 personave të akuzuar për krime në trazirat e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitolin e SHBA-së, raporton REL.
Veprimi i Trumpit, vetëm disa orë pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, hap rrugën për lirimin nga burgu të atyre që janë shpallur fajtorë për sulme të dhunshme ndaj policisë, si dhe drejtuesve të grupeve ekstreme të djathta të dënuar për komplotet e dështuara për të mbajtur në pushtet republikanin pasi humbi zgjedhjet e 2020-tës ndaj ish-presidentit, Joe Biden.
Demokratët kritikuan ashpër vendimin për të përfshirë në falje edhe protestuesit e dhunshëm, krimet e shumë prej të cilëve u kapën në kamera dhe u transmetuan drejtpërdrejt në televizione.Trumpi, 78 vjeç, bëri betimin si president të hënën në ndërtesën e Kapitolit dhe, gjatë ceremonisë, ai e portretizoi veten si një shpëtimtar të zgjedhur nga Zoti për të shpëtuar një komb në rënie.
“Unë u shpëtova nga Zoti për ta bërë Amerikën të madhe sërish”, tha ai.
Në Shtëpinë e Bardhë, Trump nënshkroi edhe një urdhër që shpallte emergjencë kombëtare në kufirin SHBA-Meksikë, që do të çlironte fonde dhe do t’i lejonte atij të dislokonte trupa atje.
Trump tërhoqi përsëri Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për klimën, duke larguar kështu ndotësin më të madh historik në botë nga përpjekjet globale për të luftuar ndryshimet klimatike për herë të dytë brenda një dekade.
“Po heqim gjithë kancerin ... të shkaktuar nga administrata Biden”, tha Trump ndërsa nënshkroi një sërë urdhrash ekzekutivë në Zyrën Ovale.
Trump nënshkroi edhe dokumente për të krijuar një "Departament për Efikasitetin Qeveritar", një bord këshillimor i jashtëm i kryesuar nga miliarderi Elon Musk, që synon të kufizojë pjesë të mëdha të shpenzimeve qeveritare.
Në Departamentin e Shtetit, dhjetëra diplomatëve të lartë jo-partiakë iu kërkua të japin dorëheqjen si pjesë e një plani më të gjerë për të zëvendësuar nëpunësit civilë jo-partiakë me besnikë.
Ai gjithashtu tha se do të nxirrte urdhra për të hequr programet federale të diversitetit dhe për të kërkuar që qeveria të njohë vetëm gjinitë e përcaktuara në lindje.